AlbanianSport.com 04/12/2018 13:45
ASNN – Një muaj më parë mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Naser Aliji, kaloi plot pompozitet në Superligën e Rumanisë, në radhët e klubit të njohur rumun, Dinamo e Bukureshtit. Por pas 30 ditësh ai vuri valixhet në krahë sërish, këtë herë me destinacion kthimi në Zvicër. Sipas mediave rumune, që i referohen qëndrimit zyrtar të klubit të Dinamos, lojtari nuk ka arritur të bindë as trajnerin dhe as presidencën, për pasojë palët e kanë anuluar kontratën, duke e lënë lojtarin të lirë.
Ishte pikërisht trajneri Mirçea Redniç, i cili theksoi Aliji nuk ishte gati dhe klubi bashkë me të kishin vendosur të ndërpritnin marrëveshjen që kishin nënshkruar pak ditë më parë. “Ai ka disa probleme fizike, – tha që në fillim Redniç për mediat rumune, – dhe kemi ndërprerë marrëdhënien me të. Aliji është kthyer në Zvicër ku do të përpiqet ta zgjidhë këtë situatë. E kemi lënë të flasim përsëri në janar nëse dhe mund të kthehet nëse do të ketë zgjidhur këto problem.”
“Nuk na ka kushtuar asgjë afrimi i tij, vetëm disa bileta avioni e shpenzime minimale, kontrata u anulua pa problem”, – ka shtuar trajneri i gjigandes rumune të futbollit. Mediat rumune shkruajnë se mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë nuk do të kthehet më në kampionatin rumun, pasi ka mbetur totalisht i zhgënjyer. Mësohet se futbollisti është kthyer në Zvicër dhe po kërkon skuadër ku të luajë. Nëse nuk gjen shpejt ekip ai do të paguajë privatisht për t’u stërvitur, në mënyrë që të gjejë skuadër në merkaton e dimrit.
Të gjitha këto zhvillime tregojnë se futbollisti po vuan dhe ka probleme serioze me përgatitjen fizike. Koha e gjatë që ka pa luajtur ka pasur ndikim negative në ecurinë e tij. Në këtë mënyrë, atij i duhet një program stërvitor individual për të kapur formën më të mirë. Shpresohet që futbollisti të mos ketë problem të karakterit tjetër që mund të jenë ose dëmtime të rënda fizike, ose psikologjike.