AlbanianSport.com 03/12/2018 21:35
ASNN – Është një nga sportet më përfaqësuese sa i përket historisë së Lojërave Olimpike, por probleme me dopingun kanë nënkuptuar se peshëngritja rrezikon ta humbasë vendin e saj në festivalin më të madh sportiv në planet. Dhe, nëse në Olimpiadën e vitit 2020 në Tokio të Japonisë, numri i konkurrentëve është zvogëluar ndjeshëm, në atë pas 4 viteve në Paris, peshëngritja rrezikon ta humbasë statusin e sportit Olimpik.
Por dopingu mbetet një gangrenë dhe, nga ribërja e analizave të Olimpiadës së 2008-ës në Pekin dhe 2012-ës në Londër, plot 49 peshëngritës rezultuan pozitiv për doping, nga të cilët 30 prej tyre ishin medalistë. Për rrjedhojë, peshëngritja ka humbur 64 kuota sportistësh për në “Tokio 2020”-ën. Tanimë, vetëm 196 sportistë do të garojnë në kryeqytetin japonez.
Megjithëse Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka theksuar ditët e fundit se ka vërejtur një përmirësim të ndjeshëm në strategjinë e Federatës Botërore të Peshëngritjes sa i përket luftës kundër dopingut, është konfirmuar se statusi i këtij sporti në Olimpiadën e 2024-ës është ende pezull. IOC-ja ka vlerësuar atë që është mbiquajtur “Vendimi i Tbilisit”, ku 9 vend të botës u pezulluan për një vit për rezultimin të 3 apo më tepër sportistësh olimpikë në analizat e bëra rishtas për “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”.
Vendet e ndëshkuara ishin Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Kina, Kazakistan, Moldavia, Rusia, Turqia dhe Ukraina. Statusi olimpik i peshëngritjes do t’i nënshtrohet një tjetër shqyrtimi në mars të vitit të ardhshëm, kur të mbahet mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.