AlbanianSport.com 01/12/2018 14:55
ASNN – Në Dablin të Irlandës, u hodh të dielën shorti për Eliminatoret e Kampionatit Evropian të vitit 2020, veprimtaria më e rëndësishme e skuadrave kombëtare në nivel kontinental. Pritej me interes ky short, sepse për herë të parë shqiptarët garojnë në këto Eliminatore me dy skuadra, ku përveç kuqezinjve të Shqipërisë, është dhe Kosova. Dhe shorti dhuroi surprizat dhe emocionet e para. Shqipëria shortohet në grup me Francën, ashtu sikundër në eliminatoret e Euro 2016-ës.
Por këtë herë me ndryshimin se përballë galëve nuk do të luajë miqësore, por ndeshje të vështira zyrtare. Shqipëria u vendos nga shorti në grupin H, së bashku me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën. Duke pasur parasysh emrat, Franca llogaritet si favorite kryesore dhe absolute për të zënë vendin e parë në grup dhe për francezët ishte një short relativisht i lehtë. Këtë e pranuan dhe mediat franceze menjëherë pas hedhjes së goglave.
Islanda është një skuadër që ka pasur rritje të pabesueshme vitet e fundit, por nuk është një kundërshtar i pakalueshëm. Shqipëria është përballur me këtë skuadër në eliminatoret e Botërorit të Brazilit, i ka humbur të dyja ndeshjet me shifrat 2-1, por Islanda ka mangësitë e saj, nuk ka yje në grup dhe është kundërshtar që duhet studiuar mirë dhe mund të mundet me teknikë dhe përgatitje të lartë fizike. Edhe Turqia nuk është emër i panjohur për Shqipërinë.
Kombëtarja është përballur disa herë me turqit dhe ia ka dalë të marrë edhe rezultate pozitive. Së fundmi, Turqinë kuqezinjtë e mundën një vit më parë në një miqësore të luajtur në Kemer, me rezultatin 3-2, pikërisht nën drejtimin e trajnerit Kristian Panuçi. Moldavia është një skuadër e një vendi të vogël, por e rrezikshme për ekipet e rangut të përfaqësueses kuqezi. Në këtë moment nuk po kalon një periudhë të mirë dhe është zhytur në Ligën D të Ligës së Kombeve.
Prandaj konsiderohet si një skuadër që kuqezinjtë duhet ta kalojnë patjetër. Por ky ekip mund t’u hapë problem kundërshtarëve në grup dhe duhet marrë seriozisht, sidomos në duelin që luhet në Kishiniev. Ekipi i fundit në grupin H, Andorra, nuk ka ndonjë peshë futbollistike në kontinent. Është përfaqësuese e një mikroshteti në brendësi të Spanjës, që në këtë grup do të vlejë thjesht për statistikë. Duke parë emrat, Shqipëria do të llogarisë një duel të fortë për vend të dytë që gjithashtu të kualifikon për në Evropian.
Dhe rivaliteti me sa duket do të jetë me Islandën dhe Turqinë. Ndërkohë, Kosova u shortua në një grup me 5 ekipe, pikërisht në grupin A, me përfaqësuese të tilla si Anglia, Republika Çeke, Bullgaria e Mali i Zi. Nisur nga emrat, edhe Kosova ka shanse reale të kualifikohet si vend i dytë në grup, sepse Anglia llogaritet një përfaqësuese që është favorite absolute për të kaluar si e kualifikuar nga vendi i parë. Ndeshjet eliminatore për Euro 2020-ën do të nisin në pranverën e vitit 2019.
Dhe me ndryshimet që janë bërë në rregullore, ku një pjesë e ekipeve kualifikohen direkt nga suksesi në Ligën e Kombeve, rivaliteti për pjesën tjetër të skuadrave do të jetë shumë i madh.