AlbanianSport.com 01/12/2018 21:05
ASNN – Supozohej të ishte një ndeshje ku do të ndahej “shapi nga sheqeri”, por nuk ka rezultuar kështu, sepse ka lënë gjithçka të hapur sa u përket dy ekipeve gjysmëfinaliste në Grupin A pas takimeve të ditës së dytë të eliminatoreve të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Mirdita fitoi me vështirësi të shtunën në mbrëmje, 3-2 ndaj Partizanit, në ndeshjen e luajtur në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” të Durrësit.
Në fakt, u duk se Mirdita e rikthyer këtë sezon në nivelin më të lartë të rrjetës shqiptare të femrave dhe që e mbylli fazën e parë në krye të renditjes, do të merrte një fitore të thjeshtë dhe të pastër, pasi i fitoi pa shumë probleme dy setet e para. Por, më pas erdhi reagimi i Partizanit, kampione në fuqi, që i fiton dy setet e tjera dhe barazon shifrat në 2-2, duke bërë që gjithçka t’i drejtohet setit final.
Në këtë set është sërish ekipi rrëshenas që dominon dhe fiton 15-11 e krejt ndeshjen 3-2, duke marrë dy pikë që e ngjitin në krye të grupit, një pikë më shumë se Partizani. Por Teuta i mban ende gjallë, të paktën matematikisht, shpresat për një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, pas fitores 3-1 ndaj Lushnjës në takim e zhvilluar më herët në Durrës.
Lushnja i thotë “lamtumirë” këtij turneu, ndërsa Teuta do të tentojë nesër ndaj Mirditës surprizën, për të siguruar një vend në gjysmëfinalet e Kupës. Megjithëse një gjë e tillë duket e pamundur, matematika i lejon durrsaket të shpresojnë, ndërsa Partizani e ka më të thjeshtë, pasi ka përballë myzeqaret e eliminuara dhe e ka vetë fatin në dorë sa i përket kualifikimit.
Kupa e Shqipërisë
Volejboll – Femra
Grupi A
Dita e parë, 30 nëntor 2018:
Partizani – Teuta 3-0
(25-19, 25-12, 25-19)
Mirdita – Lushnja 3-0
(25-10, 25-11, 25-19)
Dita e dytë, 1 dhjetor 2018:
Lushnja – Teuta 1-3
(12-25, 25-21, 15-25, 11-25)
Mirdita – Partizani 3-2
(25-18, 25-17, 18-25, 17-25, 15-11)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- Mirdita 2 2 0 5
- Partizani 2 1 1 4
- Teuta 2 1 1 3
- Lushnja 2 0 0 0
Dita e 3-të, 2 dhjetor 2018:
Partizani – Lushnja ora 15:00
Teuta – Mirdita ora 17:00