AlbanianSport.com 01/12/2018 19:15
ASNN – Eros Grezda pret momentin e tij, mediat skoceze presion Xherardit ta aktivizojë titullar. Mediat sportive skoceze dhe tifozët e klubit të Gllasgou Rejnxhërs po ushtrojnë presion tek trajneri Stivën Xherrard, për të aktivizuar në ndeshjen e radhës sulmuesin e krahut, shqiptarin Eros Grezda.
Në fakt, herën e fundit që Grezda luajti në fushë shënoi dy gola, në atë fitore të thellë 7-1 ndaj Madhëruellit. Por në dy ndeshjet e fundit, ish-lojtari dhe njëherësh ish-kapiteni i Liverpulit, aktualisht trajneri i gjigandes skoceze, nuk e ka aktivizuar kosovarin e Kombëtares kuqezi dhe kjo sipas mediave vendase është një zgjedhje e gabuar.
Në analizat e tyre, por edhe nga sondazhet në rrjetet sociale, kërkohet që Grezda të jetë titullar në ndeshjen e kësaj jave që Rejnxhërs do të luajë ndaj Harts. Të gjithë duan që shqiptari të jetë në formacionin titullar, sepse ai ka teknikë të lartë dhe jep spektakël, bën një lojën që e pëlqejnë tifozët.
Në të vërtetë, shanset që Grezda të luajë titullar janë të mëdha, për shkak se Gllasgou Rejnxhërsit do t’i mungojë këtë javë Kandias, i dënuar prej kartonit të kuq, dhe në mungesë të alternativave trajneri Xherard nuk ka rrugë tjetër veçse të aktivizojë 23-vjeçarin shqiptar.