AlbanianSport.com 01/12/2018 17:25
ASNN – Është shndërruar tanimë një telenovelë e vërtetë, që nuk po ka fund, pasi tanimë River Plejt nuk pranon të luajë në Stadiumin e Realit të Madridit, “Santiago Bernabeu”. Klubi argjentinas ka dalë me një deklaratë zyrtare duke refuzuar që të luajë në finalen e dytë të Kupës “Libertadores” kundër Boka Zhunjors në stadiumin e kryeqytetit spanjoll.
“River Plejt nuk e pranon ndryshimin e vendtakimit të finales, pasi ky vendim prek të gjithë ata që kanë blerë biletat”, – shkruan klubi finalist, në një deklaratë për shtyp, lëshuar të shtunën. Federata Argjentinase e Futbollit (FAF), në bashku me Konfederatën Amerikanolatine të Futbollit (Conmebol), vendosi që finalja e dytë të zhvendoset në Madrid, në stadiumin e Realit të Madridit, “Santiago Bernabeu”.
Ndeshja pritej të zhvillohej në stadiumin “Monumental” të River Plejtit, por u anulua dy herë për shkak të incidenteve që ndodhën, tifozët e sulmuan dhe goditën me sende të forta autobusin e klubit të Boca Zhunjors. Duhet theksuar se edhe ndeshja e parë finale u shty, por për shkak të kushteve atmosferike, duke u zhvilluar një ditë më vonë dhe duke u mbyllur në barazim 2-2.