AlbanianSport.com 01/12/2018 16:30
ASNN – Trajnerit Armando Cungu i kishte ikur “ngjyra e fytyrës ditën e djeshme, ku ai u shfaq në konferencën për shtyp i trishtuar dhe pa shumë ide, si pasojë e një lëvizjeje që do të shkaktojë debate të gjata në kampin kuksian. Ishte ndërprerë kontrata me Besar Musollin, lojtarin me aq peshë dhe kontribute tek Kukësi, por që pas dëmtimit nuk shihej më produktiv.
Edhe pse kontrata e tij u ndërpre me mirëkuptim, në rrjetet sociale largimi i tij u pa si mosmirënjohje nga klubi kukësian. Nën zë u tha se lojtarët e tjerë kishin protestuar dhe Cungu është prej atyre trajnerëve që ua di mirë vlerën “revoltave” të tilla. Sot në Gjirokastër Cungu rreshtoi një skuadër që duhej vetëm të merrte tri pikët. Ka kohë që Kukësi nuk luan për të kënaqur tifozët, apo për të bërë spektakël.
Për më tepër me një trajner si Armand Cungu që shquhet si pragmatist, një trajner besnik i “katenaçiove”, por mjaft ambicioz në lojën kundërsulmuese. Përballë Luftëtarit në një gjendje aspak komode, Kukësi diti të godasë në momentin e duhur, për të dalë nga Gjirokastra me tri pikë. Ishte Et’hemi që 3 minuta para fundit bëri gjithçka vetë, duke depërtuar në zonë me zgjuarsi.
Dhe, pranë pikës së 11-metërshit, goditi saktë, duke e kaluar topin në një kënd të tillë që nuk i dha mundësi portierit Ruçi. Si përfundim fitoi Kukësi 1-0, duke bërë që Cungu të kërcejë përpjetë nga gëzimi dhe të flasë me superlative për grupin. Megjithatë, edhe pse Kukësi ia doli të dalë me 3 pikë nga Gjirokastra e të ngjitet i 3-ti me 27 pikë, dukshëm duke iu afruar kryesuesve, duhet thënë se skuadra verilindore nuk bëri një futboll të bukur, është ende larg pritshmërive dhe nuk bind si një kandidate për titullin.
Sidoqoftë, 3-pikëshi jep shpresë, për më tepër pas një momenti psikologjik të rënduar nga largimi deri diku enigmatik i Musollit. “Ngjyra e çelur” e fytyrës së Cungut pas ndeshjes ishte ajo që fliste më shumë për këtë sukses të verilindorëve.
Kategoria Superiore
Java e 15-të
Të premten, 30 nëntor 2018:
Partizani – Tirana 2-1
Të shtunën, 1 dhjetor 2018:
Luftëtari – Kukësi 0-1
Skënderbeu – Teuta (17:00)
Të dielën, 2 dhjetor 2018:
Laçi – Kamza (14:00)
Kastrioti – Flamurtari (14:00)
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Partizani 34
- Skënderbeu 30
- Kukësi 27
- Teuta 25
- Laçi 25
- Flamurtari 22
- Luftëtari 13
- Tirana 11
- Kamza 8
- Kastrioti 7