AlbanianSport.com 01/12/2018 15:35
ASNN – Grupi A i Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Femrave, nuk pati të papritura këtë javë, sepse fituan ekipet që kanë pretendime për titull. Por surpriza e vërtetë është renditja, pasi, përveç SH.K.B.F Tirana që është shkëputur me 3 pikë më shumë se ndjekësit, me ndeshjet e luajtura këtë javë 3 skuadrat ndjekëse të Tiranës së trajnerit Erdal Borova, kanë shkuar në 13 pikë dhe rivaliteti është aq i shprehur, sa gara deri në fund pritet të ketë edhe të papritura për fituesin e këtij edicioni.
Në kuadër të javës së 8-të, sot u luajt edhe ndeshja e 3-të e saj, pikërisht Elbasani-SH.B.F Tirana, e mbyllur me fitoren e kryeqytetaseve 89-60. Ishte një ndeshje që për skuadrën e trajneres Mirza Alibegaj ngjante me një seancë stërvitore, sepse diferencat midis dy skuadrave ishin të mëdha. Tirana dominoi nga fillimi në fund dhe diferenca prej 29 pikësh tregon qartë jo vetëm superioritetin e skuadrës së Alibegajt, por edhe dobësinë e skuadrës së Elbasanit për të marrë qoftë dhe një fitore të vetme.
Madje Elbasani është skuadra që mbyll renditjen, me vetëm 8 pikë në po aq ndeshje, duke qenë me një këmbë në grupin B. Për SH.B.F Tiranën, kjo ishte fitorja e 5-të në 8 javë garë dhe ngjitja në kuotën e 13 pikëve, po aq sa Flamurtari dhe Vllaznia, duket se e bërë garën sa interesante, aq dhe të rivalizuar. Natyrisht, edhe pas javës së 8-të, kampionatin e udhëheq SH.K.B.F Tirana e trajnerit Erdal Borova, me 8 fitore radhazi, duke qenë pretendentja kryesore për titullin këtë sezon.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Grupi A
Java e 8-të
Të martën, 27 nëntor 2018:
Studenti – Flamurtari 59-85
Të premten, 30 nëntor 2018:
Vllaznia – SH.K.B.F. Tirana 57-74
Të shtunën, 1 dhjetor 2018:
Elbasani – SH.B.F. Tirana 60-89
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Pikë
- SH.K.B.F. Tirana 8 8 0 16
- SH.B.F. Tirana 8 5 3 13
- Vllaznia 8 5 3 13
- Flamurtari 8 5 3 13
- Studenti 8 1 7 9
- Elbasani 8 0 8 8