AlbanianSport.com 01/12/2018 14:40
ASNN – Mbrojtësi i Kombëtares Ivan Balliu, beson se ai e ka lënë pas periudhën e vështirë dhe mund të fokusohet tek objektivat e skuadrës, për të arritur maksimumin edhe në aspektin personal. Në një intervistë për mediat franceze, Balliu foli për formën që po kalon, duke qenë i bindur se shumë shpejt në nivelin e tij maksimal. “Trajneri i Metzit na kërkon shumë dhe gjithmonë hap videot e ndeshjeve dhe kujdeset shumë për hollësitë”, – u shpreh Balliu.
“Ai ka vënë rregull në skuadër dhe fakti që çdo gjë është në vendin e duhur, e hamë të gjithë së bashku na bën që të jemi më shumë si grup dhe riaftësimi bëhet më i lehtë, – vijoi mbrojtësi kuqezi. – Në verë unë doja të largohesha dhe të gjithë e dinë situatën time, por gjithsesi qëndrova dhe trajneri më dha mundësi që të luaja. Kam rifituar besimin dhe pak nga pak po kthehem aty ku duhet. Nuk e di çfarë mund të ndodhë në merkaton e janarit.”
“Por tani jam i përqendruar te Metzi dhe do të jem deri ditën që do të ketë diçka për të cilën mund të flas”, – ka shtuar lojtari, i cili u ftua nga trajneri Kristian Panuçi për ndeshjet e muajit nëntor kundër Skocisë dhe Uellsit, por Metzi refuzoi ta linte të lirë, duke bërë që FSHF-ja t’i shkruajë FIFA-s për këtë rast. Ndalimi i lojtarëve të Kombëtares në grumbullime nga ana e klubeve është shkelje, por Metz u justifikua në këtë rast me mbërritjen vonë të shkresës nga FSHF-ja.