AlbanianSport.com 30/11/2018 23:55
ASNN – Vetë trajneri Ardian Mema nuk i përmbajti fjalët për gabimet, duke vënë gishtin tek mbrojtësi Albi Doka, por edhe gabimin e Hasanit në një moment vendimtar të ndeshjes së humbur të premten me Partizanin. Ai mori përgjegjësinë e zëvendësimeve, por është e qartë se Mema po vuan.
Prej kaq javësh në krye të skuadrës ai nuk ka mundur ta shijojë ende fitoren e parë. Dhe nuk ka faj, kjo Tiranë të bën “me zemër”. Sa i takon Skënder Gegës, ai me të drejtë mund të krenohet për rezultatet. Në dy përballje direkte derbi ka fituar dhe kjo ia rrit vlerat.
Edhe zëvendësimet që bëri rezultuan plotësisht të suksesshme, pasi Hebaj i futur në fushë zëvendësues ishte heroi i takimit në “Selman Stërmasi”. Kurse presidenti i Tiranës Refik Halili, i trishtuar për rezultatin, pranoi hapur publikisht se Tirana kishte dalë jashtë objektivave të saj për këtë sezon.
Dhe se do të bënte lëvizje në merkaton e dimrit për të mundësuar një ecuri normale të skuadrës, e thënë ndryshe lëvizje që mundësojnë qëndrimin e Tiranës në Superiore. Për Halilin, e vetmja gjë pozitive në këtë ndeshje ishte goli i shënuar prej djalit të tij, Grend Halili.