AlbanianSport.com 30/11/2018 23:15
ASNN – Ata janë dy prej personazheve më të spikatura në rrafshin e sporteve të tyre, duke shkëlqyer e duke shkruar historinë, secili në mënyrën e vet. Dhe një bashkim i tyre, duke tejkaluar kufinjtë e sportit, padyshim që është i jashtëzakonshëm dhe duket se kështu po ndodh, pasi Jusein Bolti është pranë transferimit tek skuadra e Diego Armando Maradonës. Pavarsisht dukej gjithnjë e më e pamundur, ëndrra i ish-atletit xhamajkan për t’u bërë një futbollist profesionist ka marrë një kthesë të papritur.
E për më tepër, zhvendoset diametralisht në kontinentit të ndryshme. Fituesi i 8 medaljeve të arta olimpike, njeriu më i shpejtë në botë dhe rekordmen në 100 e 200 metra, ka nisur bisedimet për t’u transferuar te skuadra meksikane e Dorados, e cila drejtohet nga legjenda e futbollit botëror. Sprinteri 32-vjeçar nuk arriti të sigurojë një marrëveshje me skuadrën australiane të Sentrëll Koust Merinërs, me të cilën u stërvit dy muaj me radhë.
Bolti luajti madje edhe në 3 miqësore, duke realizuar dy gola, por palët u ndanë, pasi nuk gjetën gjuhën e përbashkët të pagesa e atletit. Sidoqoftë, tani është Maradona ai që e kërkon lojtarin të skuadra e Dorados. Kjo ide, legjendës argjentinase të futbollit i ka lindur kur ata luajtën së bashku në një ndeshje bamirësie, të zhvilluar gjatë këtij viti në Zvicër. “El Pipe de Oro” ka nisur të bisedojë me sponsorë të ndryshëm për të realizuar këtë transferim të Boltit në Meksikë.
Kjo edhe për arsye të pagës së lartë që ish-atleti kërkon (3 milionë dollarë). Prej disa muajsh, Maradona është në krye të ekipit të Dorados, me të cilin është kualifikuar në finalet e “play-off”-it në kategorinë e dytë meksikane dhe synon një vend mes ekipeve më të mira vitin tjetër. Argjentinasi mendon se sulmi i ekipit të tij do të përfitojë shumë nga shpejtësia e Boltit në lojën në krahë, pasi është i sigurt se do të arrijë të fitojë ndeshjet finale të “play-off”-it.