AlbanianSport.com 30/11/2018 14:55
ASNN – Një tjetër talent shqiptar po spikat në Superligën e Zvicës. Ai është Nedim Bajrami, pjesë e Gras’hopersit, skuadër me të cilën ka luajtur në 15 ndeshje dhe ka shënuar dy gola. Djaloshi me origjinë shqiptare është vetëm 19 vjeç, por ka spikatur si element i talentuar dhe mund të ketë një të ardhme të ndritur.
Duke parë shpërthimin e tij, dy klube të Serisë A italiane, Bolonja dhe Torino, kanë shprehur interesim që ta kenë Bajramin në gjirin e tyre. Janë vetë mediat sportive italiane që e japin lajmin, teksa shtojnë se djaloshi shqiptar kishte prej kohësh që ishte në fokusin e tyre.
“Bajrami mund të bëjë lëvizje gjatë janarit. Interesim për Bajramin ka shprehur Torino dhe Bolonja. Torino ka kohë që ka ndjekur ndeshjet e Bajramit, por edhe Bolonja tashmë është në garë për mesfushorin shqiptar”, – shkruan sot faqja e profilizuar italiane në Internet, tuttobolognaweb.it.
Ndërkohë, pjesë e Bolonjës është edhe mesfushori tjetër shqiptar, i tërhequr tashmë nga përfaqësuesja zvicerane, Blerim Xhemaili, i cili mban shiritin e kapitenit. Po ashtu, pjesë e Bolonjës është dhe mbrojtësi shqiptar i krahut, Lirim Kastrati, por ky i fundit luan me ekipin e dytë të Bolonjës.
Xhemaili mund të jetë një faktor shtesë për djaloshin 19-vjeçar, Nedim Bajrami, i cili ka kontratë me Gras’hopersin deri në vitin 2021, por dy klubet italiane janë gati të marrin përsipër koston e transferimit në Serinë A brenda merkatos së janarit të vitit 2019. Ai është pjesë e përfaqësueses së Zvicrës për moshën deri në 21 vjeç.