AlbanianSport.com 28/11/2018 14:20
ASNN – Befasuese, një 13-vjeçare luan në Kategorinë e Parë me Studentin! Në ndeshjen e djeshme që Flamurtari fitoi në kryeqytet me Studentin (85-59), në kuadër të Grupit A të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit të Femrave, në radhët e skuadrës kryeqytetase u aktivizua në parket edhe një basketbolliste mjaft e re në moshë, vetëm 13 vjeç.
Ajo është Arbra Zekthi, e cila ka nisur të aktivizohet herë pas here në radhët e skuadrës së Studentit, madje dhe në duele të rëndësishme sikurse ishte ndeshja e së martës në kryeqytet. Edhe sipas specialistëve të këtij sporti, Zekthi është një basketbolliste që pretmton shumë. Që tani ajo ka mundur të përfshihet në ekipin e parë dhe luan duke rivalizuar me lojtare që janë nga 20 deri në 30 vjeçe.
“Jam këtu sepse më mbështesin dhe më duan të gjitha shoqet, – ka deklaruar Zekthi, duke folur pas ndeshjes. – Duke pasur pranë vetes një sportiste lidere si Aida Vata, pse të mos ndihem mirë? Ajo dhe shoqet e tjera të ekipit më ndihmojnë dhe më inkurajojnë të eci drejt suksesit.
“Dhe unë po përpiqem të bëj gjithçka mirë për veten, shoqet dhe skuadrën në tërësi”, – ka përfunduar basketbollistja 13-vjeçare e Studentit, Arbra Zekthi.