AlbanianSport.com 28/11/2018 10:40
ASNN – Sherr mes presidentit të AEK-ut dhe Astrit Ajdareviçit, shqiptari pezullohet dhe pritet të largohet nga Athina. Astrit Ajdareviç, mesfushor me tipare sulmuese i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, ka bërë sherr me presidentin e klubit të AEK-ut Dhimitris Melisanidhis. Nuk ka qenë një zënkë e lehtë dhe mediat greke flasin për konfrontim midis tyre, aq sa presidenti i klubit grek e ka pezulluar lojtarin, duke e larguar fillimisht nga dhomat e zhveshjes.
Pra, midis dy palëve ka një ngrirje marrëdhëniesh deri në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjatë, që nënkupton lënien e lirë të lojtarit shqiptar në merkaton e janarit. Në fakt, Ajdareviç kërkon lirimin e menjëhershëm sepse ka marrë oferta nga klube të njohura suedeze, atje ku ai ka edhe familjen. Lojtari i lindur në Luginën e Preshevës një vit më parë u bë pjesë e Kombëtares kuqezi, por ai u angazhua vetëm pak ndeshje, sepse më pas humbi rolin e titullarit.
Njëherësh, ai nuk pati minutat e duhura për të marrë ftesë nga trajneri Kristian Panuçi. Mësohet se klubi grek do t’ia plotësojë dëshirën e largimit, por jo menjëherë. Në fakt, Ajdareviç kishte kërkuar largimin që në muajt e verës, por klubi e kishte mbajtur si alternativë për sulmin, pra si lojtar rezervë. Por futbollisti është bindur tashmë se nuk ka vend për të në Athinë dhe dëshiron largimin e kthimin në Suedi. Mësohet se palët po kërkojnë një mbyllje të parakohshme të kontratës.
Ndërsa janari shihet i garantuar si muaji që Ajdareviç braktis përfundimisht Athinën për t’u kthyer në kampionatin suedez.