AlbanianSport.com 28/11/2018 09:45
ASNN – Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, i cili është pjesë e klubit të Skënderbeut, Bajram Jashanica, është pezulluar nga UEFA dy vjet, sepse është gjetur fajtor për përdorim të një substance mjekësore që në listën e Agjencisë Botërore të Anti-Dopingut (WADA) rezulton substancë e ndaluar. Por duket se UEFA përdor standard të dyfishtë kur është fjala për lojtarë të veçantë dhe klube të veçanta. Dihet tashmë që UEFA e ka penalizuar Skënderbeun me 10 vjet nga veprimtaritë e saj, me akuzën se Skënderbeu është i përfshirë në trukim ndeshjesh.
Çështja, siç dihet, është për shqyrtim në Këshillin e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS) dhe ende nuk është marrë një vendim nga gjykata në fjalë. Dënimi i Jashanicës ishte një dëmtim “ekstra” për korçarët, që rëndon mjaft në financa dhe imazh. Por jo, UEFA sillet ndryshe me lojtarët e klubeve të mëdha, siç ka ndodhur me mbrojtësin e Realit të Madridit, Serxhio Ramos. Ai ka përdorur para finales së madhe të Ligës së Kampioneve në vitin 2017 një substancë (dexamethasone) që rezulton të konsistojë në doping dhe e ndaluar nga agjencitë e anti-dopingut.
Çuditërisht UEFA ka heshtur dhe ky skandal është bërë publik tashmë. Gazeta e njohur spanjolle, “Mundo Deportivo”, ka shkruar një artikull ku merr si shembull rastin e Bajram Jashanicës, i cili deri në 2020 nuk do të jetë në gjendje të luajë futboll. Në fak ky është shembulli më i mirë, për të treguar standardin e dyfishtë që përdor UEFA në futboll, ku Jashanica dënohet dy vjet për përdorim dopingu, në një rast krejt specifik, sepse ai e mori elementin si kurë mjekësore për dëmtimin që kishte pësuar, ndërsa Serxhio Ramos merr një substancë të ngjashme, kapet dhe UEFA hesht.
Duket qartë se edhe në UEFA funksionon ligji i xhunglës, ku komandën e bëjnë të fortët.