AlbanianSport.com 28/11/2018 07:55
ASNN – Liga e Kampioneve dhuroi mbrëmjen e së martës emocione të forta, sidomos për rezultatet që prodhuan ndeshjet, pasi u luajtën takimet e katërta në grupet E, F, G dhe H. Kryendeshja e mbrëmjes mund të quhet ajo mes Hofenhaimit dhe Shahtjorit të Donjeckut, e cila u fitua nga ukrainasit me rezultatin 2-3. Katër gola u shënuan në pjesën e parë, ku epërsisë me dy gola të ukrainasve iu përgjigjën gjermanët me dy golat e barazimit brenda fraksionit të parë të lojës.
Por në fundin e ndeshjes, pikërisht në kohën shtesë, Shahtjori e shtangu Hofenhaimin duke shënuar golin e tretë dhe duke shkuar tashmë në 5 pikë, duke bërë që të jetë plotësisht në garë për duelin e fundit e direkt me Lionin për vendin e dytë në grupin F. Lioni nga ana tjetër nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 me Mançester Sitin. Anglezët e kishin siguruar kualifikimin, por francezët me një pikë kanë shans kualifikimi si të dytët në grup.
Por vetëm nëse marrin qoftë dhe një barazim me Shahtjorin në ndeshjen e fundit në këtë grup. Kurse Hofenhaimi ka mbetur jashtë, pasi ka vetëm 3 pikë në renditje, ndërsa Lioni ka 7. Në grupin E, Bajerni i Mynihut u tregua i pamëshirshëm ndaj Benfikës, duke fituar 5-1. Nga dy gola shënuan Roben dhe Levandovski e një gol realizoi Riberi, që e bënë të pavlerë golin e Fernandezit. Me këtë fitore Bajerni shkoi në 13 pikë. Në vend të dytë ndodhet Ajaksi që fitoi në Athinë 0-2 ndaj AEK-ut dhe holandezët kanë 11 pikë.
Dueli direkt për vendin e parë në grup do të luhet në takimet e fundit, pas dy javësh. Ndërkohë, Benfika mbetet në vend të tretë dhe do të luajë në Ligën e Evropës, kurse AEK-u ka zero pikë. Në grupin G, Reali i Madridit rigjeti potencialin e tij në këtë veprimtari prestigjioze, pasi mundi Romën brenda në “Olimpiko” 2-0, duke i marrë kreun e renditjes me 12 pikë, ndërsa skuadra italiane mbeti e dyta me 9 pikë. Në vend të 3-të u ngjit Viktoria e Plzenjit, që mundi në udhëtim CSKA-në e Moskës 2-1.
Të dyja skuadrat kanë 4 pikë, por çekët kanë fituar duelin direkt dhe kanë më shumë shanse për këtë pozicion. Në grupin H, Juventusi kreu detyrën me një fitore të ngushtë 1-0 ndaj vlencias, me golin e Manxhukiçit në pjesën e dytë. Kjo fitore e mban Juven në vend të parë me 12 pikë, të ndjekur nga Mançester Junajtid me 10 pikë. Skuadra e Murinjos gjeti fitoren të martën në mbrëmje ndaj Jang Bojsit vetëm në minutën e fundit të ndeshjes.
Një fitore që hap garën në këtë grup për vendin e parë në renditje, megjithëse në duelin e fundit Juve do të ketë përballë Jang Bojs.
Liga e Kampioneve
Ndeshjet e 4-ta në grupe
Grupi E
AEK Athinë – Ajaks 0-2
Bajern Mynih – Benfika 5-1
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Bajern Mynih 13
- Ajaks 11
- Benfika 4
- AEK Athinë 0
Grupi F
Lion – Mançester Siti 2-2
Hofenhaim – Shahtjor Donjeck 2-3
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Mancester Siti 10
- Lioni 7
- Shahtjor Donjeck 5
- Hofenheim 3
Grupi G
CSKA Moskë – Viktoria Plzenj 1-2
Roma – Real Madrid 0-2
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Real Madrid 12
- Roma 9
- Viktoria Plzen 4
- CSKA Moskë 4
Grupi G
Juventus – Valencia 1-0
Mançester Junajtid – Jang Bojs 1-0
Renditja
Nr. Skuadra Pikë
- Juventus 12
- Mancester Junajtid 10
- Valencia 5
- Jang Bojs 1