AlbanianSport.com 27/11/2018 22:50
ASNN – Mustedanagiç mohon të ketë ndryshim strategjie në ekipet kombëtare, synimi të afrohet një lojtar çdo vit në Kombëtaren A. Ish-trajneri i skuadrës kombëtare deri në 17 vjeç, Xhemal Mustedanagiç, ka dalë në një konferencë të dhënë sot në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit, tashmë si përgjegjës i zyrës së talenteve.
“Ne kemi strategji që çdo vit të çojmë një futbollist te ekipi A, – theksoi ndër të tjera trajneri boshnjak, – nëse çojmë 2 është akoma më mirë, por strategjia nuk mund të ndërrohet çdo vit. Ajo mund të ndërrohet çdo 4 vjet ose çdo cikël olimpik, që do të thotë 1 herë në 8 vjet.”
“Kjo strategji sapo ka filluar dhe vitin që vjen mendoj se të paktën një futbollist cilësor do të kalojë te Kombëtarja A”, – vijoi Mustedanagiç. E vërteta është se shumë pak lojtarë të ekipeve kombëtare të moshave përfundojnë në ekipin përfaqësues kryesor, kjo pasi zgjedhjet shpesh nuk mbajnë ritëm, por edhe se përzgjedhjet në mjaft raste nuk kanë qenë cilësore dhe të bazuara mbi kritere profesionale.