AlbanianSport.com 27/11/2018 18:30
ASNN – Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku ka habitur jo pak sot me deklaratat e tij, ku në një konferencë për shtyp tha se Alban Bushi kishte qenë i suksesshëm në krye të Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve. Një deklaratë e tillë vjen një ditë pas stuhisë së ndryshimeve në kombëtaret e moshave dhe ku të gjithë shprehën habi se si nuk ishte shkarkuar trajneri i Shpresave, Alban Bushi.
Ky i fundit u paraqit dobët në Eliminatoret e Evropianit, sepse zuri vendin e parafundit në grupin e dytë, ku Shpresat parakaluan nga ekipe si Sllovakia, Irlanda dhe Islanda, ndërsa lamë pas vetëm Estoninë. “Kombëtarja e Nën-21 vjecarëve, – theksoi nr. 2 i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, – është grupmosha e fundit para se futbollistët të vijnë në Kombëtaren e të rriturve.”
“Për të ardhur tek Nën-21-vjeçarët, duhet të nisësh nga herët duke thënë që tek Nën-13-vjeçarët, por Bushi ka arritur objektivin tek Shpresat pasi po furnizon Kombëtaren ke futbollistë dhe këtë po e bën mjaft mirë, – vijoi Shulku. – Ne kemi një plan afatgjatë që futbollistët të vijnë nga grupmoshat më të vogla e deri te ekipi i parë. Nuk ka strategji për të marrë futbollistët që luajnë jashtë në Kombëtare.”
“Ne i kemi kontaktuar dhe është dëshira e tyre nëse vijnë apo jo, – ka theksuar më tej zyrtari i FSHF-së. – Nuk ka futbollist shqiptar që luan jashtë dhe që nuk është kontaktuar nga ne. Trajnerët e rinj do të jenë çdo ditë në punë, ndërsa Panuçi do të jetë në çdo mbledhje dhe në përzgjedhje për të dhënë ide dhe për të arritur objektivat.”