AlbanianSport.com 26/11/2018 21:55
ASNN – Alban Bushi është trajneri i vetëm ndër trajnerët që drejtojnë skuadrat kombëtare të moshave që ka mbijetuar, kurse trajnerët e ekipeve kuqezi të Nën-15-vjeçarëve, Nën-17-vjeçarëve dhe Nën19-vjeçarëve janë ndryshuar.
Kështu tek mosha deri në 15 vjeç drejtonte Eqerem Memushaj, por ai do të largohet nga kjo detyrë. Tek Nën-17-vjeçarët, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç kishte kohë në fakt që ishte tërhequr.
Kjo, pasi kishte marrë detyrë në zyrën e ekipeve kombëtare në FSHF, ndërsa tek Nën-19-vjeçarët u largua Erjon Bogdani. E vërteta është se trajnerët largohen për shkak se u mbyllën me dështim Eliminatoret ku merrnin pjesë ekipet përkatëse.
Skuadrat e tyre pësuan disfata të rënda, duke mos i përmbushur pritshmëritë. Ajo që të habit është se ka “shpëtuar” nga kjo stuhi trajneri i “Shpresave”, pra Kombëtares së Nën-21-vjeçarëve, Alban Bushi.
Të martën pritet të bëhen emërimet e reja në krye të ekipeve kombëtare, ku në radhë për të zëvendësuar trajnerët e mëparshëm të Nën-17 dhe Nën-19-vjeçarëve janë Elvin Beqiri dhe Nevil Dede.