AlbanianSport.com 25/11/2018 22:30
ASNN – Lokomotiva barazon, Myrto Uzuni nuk përmbahet, super-gol kundër Osijekut. Sulmuesi i krahut të djathtë i Kombëtares tonë, Myrto Uzuni, e tregoi dhe një herë tjetër veten se është një yll në ngjitje. Sot ai realizoi një supergol në kampionatin e Kroacisë, ku Lokomotiva e tij e Zagrebit barazoi 2-2 ndaj Osijekut. Ishte një ndeshje mjaft e fortë dhe e rivalizuar, ku Lokomotiva barazoi me mjaft vështirësi.
Në fillim shënoi Osijeku, por në fundin e pjesës së parë, shqiptari Myrto Uzuni tregoi aftësitë e tij para portës kur me një prekje të shkëlqyer kaloi topin mbi portierin kundërshtar dhe barazoi shifrat për Lokomotivën e Zagrebit në 1-1. Edhe pse Uzuni e bëri të vetën, duke realizuar gol dhe skuadra në tërësi luajti mirë, Lokomotiva e Zagrebit nuk e fitoi dot ndeshjen, që u mbyll në barazim 2-2 e ku të dy kampet morën nga një pikë.
Për shqiptarin Uzuni ky ishte goli i tretë në kampionatin kroat në nëntë ndeshje të luajtura me Lokomotivën e Zagrebit. Një koeficient i mirë realizimi kur kemi parasysh faktin se Uzuni ka vetëm pak muaj që është pjesë e skuadrës dhe e një kampionati jashtë Shqipërisë. Ai po rritet cilësisht dhe po shënon gola dhe kjo është e rëndësishme për të ardhmen e karrierës së tij.