AlbanianSport.com 25/11/2018 17:00
ASNN – Shkëndija e Tetovës regjistroi sot në udhëtim një tjetër fitore me vlerë për kryesimin e kampionatit në Maqedoni. Ishte një fitore e pastër 2-0 ndaj Pobedës, fitore që jo vetëm e ndihmon të ruajë kryesimin, por i jep Shkëndijës dimensionin e favorites kryesore për titull në Superligën e Maqedonisë. Me këtë fitore, tetovarët ruajnë distancën prej 6 pikësh ndaj rivales kryesore, Vardarit, që këtë javë fitoi, gjithashtu, në udhëtim ndaj Sileksit.
Për Shkëndijën, golat erdhën në pjesën e dytë e konkretisht nga Bejtullai në minutën e 77-të dhe i përhershmi Izari Emini dy minuta para përfundimit të takimit. Një fitore që e ngjit Shkëndijën e Tetovës në kuotën e 37 pikëve, duke lënë në vend të dytë Vardarin me 31 pikë. Kjo ishte fitorja e 7-të radhazi për Shkëndijën, e cila, pavarësisht se e nisi dobët kampionatin, mundi që t’i zërë rrugës rivalët e në fund t’i parakalonte, duke qenë kryesuese dhe komanduese e padiskutueshme e garës në kampionatin maqedonas.
Ndërkohë, Shkupi, skuadra tjetër shqiptare në kampionatin elitar maqedonas, fitoi 1-0 ndaj Belasikas, duke marrë një trepikësh që e largon ndjeshëm nga fundi dhe i jep shpresë për mbijetesë në elitë. Skuadra tjetër shqiptarë, Renova e Tetovës, nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj Akademija Pandev, skuadër që këtë sezon është surprizë dhe mban vendin e tretë në klasifikim. Siç shihet, skuadrat shqiptare në Maqedoni po i japin tonin garës.
Ato kanë shanse të jenë në zonën evropiane që do të thotë se mund të fitojnë mjaft edhe në aspektin financiar nëse ia dalin të kualifikohen në për në Ligën e Evropës.