AlbanianSport.com 25/11/2018 16:05
ASNN – Java e 14-të e kategorisë Superiore u mbyll sot me duelet Kamza-Kukësi dhe Laçi-Kastrioti. Për Kukësin dhe Laçin ishin ndeshje që shërbyen për pikë, sepse me fitoret e sotme afrohen ndjeshëm me kryesuesit, duke qenë jo më larg se 6 pikë nga vendi i parë që mbahet prej Partizanit. Padyshim, fitoret e sotme kishin vuajtje, sidomos ajo e Laçit ndaj Kastriotit, 2-1, por jo më pak të lehtë e pati dhe Kukësi ndaj Kamzës, 2-0.
Kuksianët gjetën një trepikësh me mjaft vlerë sot përballë skuadrës nga periferia e kryeqytetit, duke fituar pastër 2-0, por me mjaft vështirësi. I përhershmi Rexhinaldo gjeti golin e parë për verilindorët në minutën e 29-të, një gol që çliroi psikologjikisht Kukësin dhe i dha qetësinë edhe trajnerit Armando Cungu. Mungesat e shumta të Kukësit ndiheshin, por në asnjë moment skuadra e Cungut nuk kaloi në aventurë dhe kjo ishte strategji efikase.
Kamza u përpoq, por nuk ia doli, pasi në minutën e 33-të pësoi golin e dytë, që ishte një autogol nga mbrojtësi Teqja. Kamza mbetet kështu e parafundit me vetëm 8 pikë në 14 javë të luajtura. Si përfundim, Kukësi shkon në 24 pikë, 7 më pak se Partizani kryesues dhe 6 më pak se Skënderbeu i vendit të dytë. Formula e garës është e tillë që garën e lë të hapur deri në fund, nisur nga numri i madh i përplasjeve direkte. Ndërkohë, Laçi u tregua sërish një “mace e zezë” e kampionatit.
Fitoi 2-1 ndaj Kastriotit, në një duel mjaft rivalizues dhe ku fitorja për kurbinasit erdhi në sekondat e fundit të lojës. Pjesa e parë u mbyll në barazim 0-0, por në pjesën e dytë loja jo vetëm u bë e rivalizues në ekstrem, por edhe emocionuese. Altiparmakovski shënoi për kurbinasit në minutën e 61-të, por 9 minuta më vonë, Ymeri barazoi për krutanët. Dukej se loja po shkonte drejt një barazimi, por në sekondat e fundit të ndeshjes, me një veprim të zhdërvjelltë të skuadrës, Xhixha finalizoi dhe Laçi fitoi 2-1 dhe mori tri pikë të vyera për renditjen.
Sepse rimerr sërish vendin e katërt me 25 pikë, po kaq sa Teuta e vendit të tretë dhe Laçi mund të thuhet me plot gojën se është skuadër për Evropën. Kastrioti luajti mirë, por ishte i pafat dhe mbetet sërish në vend të fundit me 7 pikë në 14 takime të deritanishme të Kategorisë Superiore.
Kategoria Superiore
Java e 14-të
E premte, 23 nëntor 2018:
Flamurtari – Partizani 1-0
E shtunë, 24 nëntor 2018:
Tirana – Skënderbeu 1-1
Teuta – Luftëtari 1-0
E diel, 25 nëntor 2018:
Kamza – Kukësi 0-2
Laçi – Kastrioti 2-1
Renditja
- Partizani 31
- Skënderbeu 30
- Teuta 25
- Laçi 25
- Kukësi 24
- Flamurtari 22
- Luftëtari 13
- Tirana 11
- Kamza 8
- Kastrioti 7