AlbanianSport.com 24/11/2018 20:50
ASNN – Ergys Kaçe ishte sot protagonist në fitoren e thellë 5-1 të Panathinaikosit kundër Apollon Smirnës në Superligën e Greqisë, në kuadër të javës së 11-të të kampionatit helen të futbollit. Kjo fitore e ngjiti Panathinaikosin në kuotën e 18-të pikëve, në vend të 4-t në renditje, duke iu rikthyer suksesit pas 4 javësh dështime. Në këtë ndeshje Kaçe konfirmoi edhe një herë në këtë takim se po kalon një moment të mirë.
Dhe ai mund të konsiderohet jo vetëm titullar, por me peshë në lojën dhe rezultatet e skuadrës. Korçari qëndroi në fushë 90 minuta në fitoren e shkëlqyer të skuadrës së njohur të Athinës. Madje Kaçe ishte pasuesi ideal për golin e dytë të Panathinaikosit që e shënoi Maçeda. Në pjesën e dytë mesfushori fantasist shqiptar u ndëshkua me karton të verdhë.
Por kjo nuk ia zbehu paraqitjen mbresëlënëse në këtë takim, një prezantim që mediat greke e vlerësuan me notë të lartë. Kjo ecuri e mirë e Kaçes mund të nxisë trajnerin Kristian Panuçi ta ketë vazhdimisht në qendër të vëmendjes, ndonëse italiani e ka patur alternativë shtesë futbollistin. Megjithatë, sa më shumë aktivizohet me Panathinaikosin, aq më e sigurt do të jetë ftesa për në Kombëtare.