AlbanianSport.com 23/11/2018 22:40
ASNN – Ndryshe nga sezonet e kaluara ku basketbolli i femrave kulmonte me sukseset e tij në Vlorë, ku Flamurtari as e vinte në diskutim fitimin e kampionatit, tashmë basketbolli i femrave këtë sezon e ka zhvendosur epiqendrën e tij në kryeqytet, ku dy ekipet e Tiranës, konkretisht SH.K.B.F Tirana dhe SH.B.F Tirana, po i japin tonin Kampionatit Kombëtar.
Në kuadër të javës së 7-të të nivelit më të lartë, grupit A, skuadra e SH.K.B.F. Tiranës mundi në derbi me rezultat të thellë 90-56 Studentin, duke vijuar të marshojë në krye të renditjes, tashmë me 14 pikë, dukshëm më mirë se ekipet e tjera rivale që do të luajnë sot duelet e tyre. Vajzat që drejtohen nga trajneri Erdal Borova ishin superiore ndaj rivaleve të tyre dhe as e vunë në diskutim fitoren.
Ndeshja ngjante më shumë me një seancë stërvitore, ku skuadra bardheblu thjesht priste dypikëshin e radhës që i ngjit akoma më shumë në krye të renditjes. Ndërkohë, java e 7-të do të vijojë të shtunën me një kryeduel në koshin e femrave, konkretisht Flamurtari-SH.B.F.Tirana. Trajneri Viron Toska do të kërkojë të hakmerret ndaj rivales së tij, Mirza Alibegaj, me shpresën se vendimtare do të jetë fusha e Pallatit e Sportit të Vlorës.
Kjo ndeshje do të startojë në orën 11:00. Kurse takimi tjetër i kësaj jave, ai mes Vllaznisë dhe Elbasanit, do të luhet po këtë të shtunë, në orën 16:00.
Kampionati Kombëtar
i Basketbollit – Femra
Kategoria e Parë
Grupi A
Java e 7-të
Të premten, 23 nëntor 2018:
Sh.K.B.F. Tirana – Studenti 90-56
Të shtunën, 24 nëntor 2018:
Flamurtari – SH.B.F. Tirana ora 11:00
Vllaznia – Elbasani ora 16:00
Renditja
Nr. Skuadra N F H P
- SH.K.B.F Tirana 7 7 0 14
- SH.B.F Tirana 6 4 2 10
- Vllaznia 6 4 2 10
- Flamurtari 6 3 3 9
- Studenti 7 1 6 8
- Elbasani 6 0 6 6