Gjergj Vyshka 23.10.2014 19:15
Në morinë e aktiviteteve për festimet e 70-vjetorit të Çlirimit të vendit, dje në poligonin e klubit shumësportësh Studenti është zhvilluar takimi miqësor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Shqipëria është përfaqësuar me qitësit e saj më të mirë, kryesisht të klubit Studenti, atje ku në pistoletë ajër trajnerja Diana Mata ka promovuar sportistet e saj të reja, të cilat dje kanë pasur garën e tyre të parë. “Janë studente dhe si të tilla janë të përqendruara tek shkolla duke qenë deri pasdite vonë”, – ka deklaruar qitësja e mirënjohur.
“Sepse sikur të kishin kohë qoftë dhe dy orë paradite, atëherë do të dija unë se si t’i ktheja në rezultative dhe cilësore për këtë sport. Sepse të dyja këto vajza që ju shihni kanë të dhëna për këtë sport”, – ka shtuar Mata, ndërkohë që Kosova jo vetëm që ka ardhur me sportistët e saj më të mirë, përgjithësisht vetëm meshkuj teksa ka pasur 14 konkurrentë, por dhe me gjyqtarë. Madje delegacioni është kryesuar nga presidenti i Federatës Shenjëtarisë së Kosovës, Ali Pullana.
Rezultatet teknike
të Kupës së Çlirimit – Qitje
Pistoletë – Femra
1) Aida Mustafaj (Studenti) 371 pikë
Pistoletë – Meshkuj
1) Arben Cerina (Studenti) 556 pikë
Pushkë – Femra
1) Lumturi Pepaj (Studenti) 384 pikë
Pushkë – Meshkuj
1) Florind Ymeri (Kosovë) 548 pikë