AlbanianSport.com 22/11/2018 15:00
ASNN – Lushnja-Tomori të shtunën dhe Besa-Pogradeci të dielën janë dy sfidat më të spikatura të javës së 10-të të Kategorisë së Parë, që do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Kështu, Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit rikthehet në fushat e blerta pas ndërprerjes për shkak të ndeshjeve të Kombëtares kuqezi, duke ofruar menjëherë përballje interesante.
Në Grupin A, apo Grupin e Veriut, të gjitha ndeshjet luhen të shtunën, duke nisur nga ora 14:00, dhe 5 përballjet janë Veleçiku i Koplikut-Dinamo, Burreli-Besëlidhja, Korabi i Peshkopisë-Vllaznia, Iliria e Fushë-Krujës-Erzeni dhe Vora-Shënkolli. Ndërkaq, grupi B, apo grupi i Jugut i luan të shtunën 4 ndeshjet e tij dhe midis tyre spikat përballja midis Lushnjës dhe Tomorit.
Të dyja skuadrat kanë zhgënjyer në fazën e parë, duke e mbyllur atë në gjysmën e poshtme të renditjes, me myzeqarët që mbajnë vendin e 7-të, me 11 pikë, dhe beratasit një shkallë më lart, me dy pikë më tepër. Për këtë arsye, kjo ndeshje, që do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar të shtunën, duke nisur nga ora 14:00, merr rëndësi për të dyja skuadrat që synojnë ringritjen.
Të shtunën pasdreke luhen edhe takimet e tjera, Elbasani-Oriku, Bylis-Egnatia e Rrogozhinës, dhe Apolonia-Turbina e Cërrikut, kurse të dielën, luhet takimi i fundit, Besa-Pogradeci, që gjithashtu do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.