AlbanianSport.com 23.10.2014 18:40
ASNN – Duke folur pas ndeshjes së humbur minimalisht në shtëpi me Tomorin, trajneri i Pogradecit, Ardian Abazaj, është shprehur pa doreza. “Futbolli ka tekat e veta, – ka pohuar ai. – Kemi mbetur duke thënë bëmë presion, prodhuam lojë, por… Kështu ndodhi dhe me takimin me Tomorin. Në të gjithë kohën në pjesën e parë dhe të dytë loja pothuajse u zhvillua në portën mike, por kundërshtari ishte vendosur shumë mirë prapa në mbrojtje.”
“Në moment kur prisnim golin, jepet një faull afër zonës që për mua ishte i dyshimte, – ka theksuar trajneri pogradecar. – Kemi disa raste, kur kemi pësuar gol në këto goditje. Na duhet të riparojmë sulmin pasi kemi defekte në shënimin e golave. Humbëm mjaft raste dhe nuk duhej të linim tre pikë.” Ndërsa trajneri i Tomorit, Eqerem Memushi, e quajti këtë triumf të skuadrës së tij si shumëplanësh. “Ekipi ka krijuar vazhdimësinë për marrjen e pikëve maksimale”, – ka theksuar ai.
“E merituam sepse edhe detyrat i zbatuam. Jemi përgatitur për rezultat pozitiv prej kohësh. I falënderoj djemtë, pasi mes tyre kishte lojtarë të rinj, që po krijojnë personalitetin në lojë. Jemi në pozicion komod në renditje. Kemi dhe synimet tona. Po fitojmë futbollistë dhe rezultate, gjë që mbetet garanci për të ardhmen”, – ka përfunduar trajneri vlonjat i skuadrës beratase, që u largua nga Pogradeci me një fitore minimale, por mjaft të vyer.