AlbanianSport.com 22/11/2018 10:25
ASNN – Prishtina ka njohur kundërshtarët në turin e 16-shes së “FIBA Europe Cup” dhe optimizëm për tjetër sukses të klubit të Kosovës në këtë fazë, që gjithashtu do t’i luajë ndeshjet me sistem grupesh. Mbrëmjen e së mërkurës në Pallatin e Sportit dhe të Rinisë në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, skuadra e basketbollit KB Prishtina nuk ia doli ta mbyllë me fitore prezantimin e saj në grupin E të “FIBA Europe Cup”, pasi u mposht me shifrat 77-100 nga skuadra e Danimarkës, Baken Biirs.
Ishte një ndeshje e dominuar nga “arushat daneze”, që treguan dhe në këtë duel të fundit se ishin cilësisht më lart se skuadra kosovare dhe e merituan vendin e parë. Sidoqoftë, Prishtina ia doli të sigurojë kalimin e turit dhe të garojë në vazhdim në 16-shen më të mirë të këtij aktiviteti. Teksa Baken Biirs siguroi kalimin e turit si vend i parë me 12 pikë, Prishtina e mbyll fazën e parë me 10 pikë, 4 fitore dhe dy humbje, por mjaftueshëm që të tregojë vlerat e saj në turin e radhës, pra në 16 më të mirat e Kupës së Evropës.
Ndërkohë, po të mërkurën në darkë, Prishtina ka mësuar tre kundërshtarët në turin e dytë të “FIBA Europe Cup”. Klubi i kryeqytetit të Kosovës do të jetë në Grupin “I” të 16 më të mirëve bashkë me Oliver Vurzburgun e Gjermanisë, Szolnoki Olaj të Hungarisë dhe Karsijakanin e Turqisë. Në fazën e ardhshme do të jenë 4 grupe, ndërsa më tutje do të kalojnë fituesit dhe vendet e dyta të secilit grup. Ndeshjet do të luhen më 12 dhe 19 dhjetor 2018, më 9 dhe 23 janar dhe më 30 janar dhe 6 shkurt 2019. Ambicia e Prishtinës është të avancojë më tej në këtë veprimtari, nisur jo vetëm nga forma e mirë, por edhe nga investimet që ka kryer klubi i njohur i basketbollit të Kosovës.