AlbanianSport.com 21/11/2018 23:00
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka befasuar tërësisht sot në një intervistë të dhënë në “TV Klan”, ku ndryshe nga të gjithë sportdashësit dhe specialistët, mendon se trajneri Kristian Panuçi ka punuar mirë dhe duhet të qëndrojë në krye të përfaqësueses. Duka në këtë moment është i vetmi që beson se Panuci ka punuar mirë dhe për këtë merr shembull disa afrime lojtarësh të rinj, midis të cilëve Myrto Uzunin dhe Ardian Ismajlin.
Ai beson se trajneri është përpjekur të bëjë më të mirën, por është fakt evident se kapacitetet e Shqipërisë janë të limituara dhe se përfaqësuesja jonë në tërësi është skuadër modeste. “Nuk është koha për vendime të nxituara, – u shpreh Duka për “TV Klan”, – Panuçi ka të mirat e të këqijat e veta. Nuk e kemi luksin të ndërrojmë trajner. Ne jemi skuadër modeste. Që të bëjmë mirë, duhet të jemi të gjithë pozitivë. Nuk kemi menduar për trajner tjetër, por vetëm mbështetje maksimale Panuçit.”
“Eksperimente u bënë, fituam Ismajlin dhe Uzunin, vijoi më tej Duka, – skuadra e konsoliduar edhe në mendjen e stafit. Biseduam të bëjmë më mirë gjërat organizative, se nga ana teknike e ka vetë në dorë trajneri. Në fakt, qëndrimi i Dukës ka habitur edhe më optimistin, pasi 8 mijë tifozë kuqezi në Shkodër e fyen Panuçin në ndeshjen ndaj Skocisë, duke i kërkuar largimin edhe me thirrje gati-gati të papranueshme. Me sa duket, kreu i FSHF-së sheh ende “yllin e padalë” tek Kristian Panuçi.