AlbanianSport.com 21/11/2018 22:05
ASNN – Klubi i njohur grek i Olimpiakosit, ka shpalosur objektiv kryesor për merkaton e janarit afrimin e sulmuesit shqiptar, Fiorin Durmishaj. Aktualisht lojtari është pjesë e Panioniosit në kampionatin helen dhe është një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës së tij. Ai ka spikatur si një golashënues me kapacitet të madh dhe Olimpiakosi ka kohë që e ndjek atë.
Mësohet nga mediat greke se Durmishaj është vetëm një hap larg klubit të njohur të Pireut, pra Olimpiakosit. Drejtuesit e klubit e kanë futur në “shënjestër” dhe duan që Durmishaj të veshë bluzën e klubit të tyre që në këtë merkato dimri. E vërteta është se lojtari në këtë fazë nuk ka dhënë përgjigje, pasi ai është duke ndjekur njëkohësisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
Panioniosi kërkon të përfitojë sa më shumë nga cilësitë dhe shitja e tij, prandaj nuk lëshon pe kollaj, për këtë arsye ka shtrenjtuar lojtarin. Sidoqoftë, edhe dëshira e vetë Durmishajt është të bëhet pjesë e Olimpiakosit për sezonin tjetër, i bindur se mund të shkëlqejë me klubin e madh helen. Ndërkohë, Shqipëria nuk humbi kohë dhe i bëri ftesë djaloshit shqiptar për në Kombëtaren A.
Durmishaj ka qenë pjesë e skuadrave kombëtare të moshave dhe mund të ketë një të ardhme të ndritur në përfaqësuese. Ftesës këtë herë Durmishaj nuk iu përgjigj pozitivisht sepse nuk e la ushtria greke të kalojë kufirin deri në mbarimin e afatit të detyrimit ushtarak. Megjithatë, Durmishaj është në projektin afatgjatë të trajnerit Kristian Panuçi.