AlbanianSport.com 21/11/2018 21:10
ASNN – Trajneri Ernest Gjoka u prezantua sot tek skuadra e Kamzës. Emërimi në krye të këtij ekipi u bë para pak ditsh, por sot ishte zyrtarizimi i kësaj lëvizjeje. Duket ironi e fatit, sepse edhe edicionin e shkuar Gjoka mori në rrethana të tilla Vllazninë, por skuadra shkodrane nuk mbijetoi në Superiore. Këtë herë situata ngjan, por nuk është identike. Ka kohë më shumë, një merkato dimri përpara dhe një grup që mund të marrë rezultate të mira.
Megjithatë, Gjoka është optimist, e shfaqi këtë edhe në konferencën e sotme për gazetarët, por koha do të jetë matësi më i mirë i punës së tij. “Situata është e vështirë, – u shpreh që në fillim trajneri, – por ne e dimë tani se puna e trajnerit është një punë që rriskon gjithnjë. Për ne trajnerët, sfidat janë oksigjeni i kësaj pune. Kjo na mban në ritëm. Ardhja te Kamza në këto momente, do të jetë një shenjë pozitive për të nxjerrë skuadrën nga ky moment.”
“Nevoja më e madhe në këto momente është që të nxjerrim skuadrën nga situata kritike që ka, – theksoi ai, duke vënë në pah mangësitë që karakterizojnë pozitat e skuadrës në këtë periudhë. – Ana psikologjike është situata e parë, sepse vetë vendi ku është Kamza nuk i jep qetësi skuadrës. Ky është plani A dhe plani kryesor. Çdo skuadër ka nevojë të forcohet me cilësi. Në punën tonë kur je në një moment pa skuadër mund të dalë zëri për shumë ekipe kur ka ndryshime trajnerësh.”
“Zgjodha Kamzën për një sfidë dhe për një punë ndryshe. Zgjodha Kamzën, pasi edhe presidenti Qarri këmbënguli shumë. Duke pasur parasysh dhe strategjinë e re me ardhjen e drejtorit ekzekutiv besoj se do të bëjmë diçka ndryshe”, – përfundoi trajneri Ernest Gjoka, zyrtarisht në krye të Kamzës nga dita e sotme.