AlbanianSport.com 21/11/2018 19:20
ASNN – Taulant Xhaka ngre “temperaturat” në prag të dimrit: “Fitorja ishte për Panuçin, ju siguroj që me këtë lojë shkojmë në Evropian”. Taulant Xhaka ishte protagonist për Kombëtaren në ndeshjen miqësore kundër Uellsit, duke fituar 11-metërshin që e shndërroi në gol Bekim Balaj. Pas kritikave të forta që mori në ndeshjen kundër Skocisë, Xhaka e bëri si duhet detyrën në këtë miqësore me Uellsin. Ai përshtatet mjaft mirë me Memushajn dhe eksperienca e tyre e ndihmon përfaqësuesen.
Xhaka thotë se fitorja me Uellsin ishte për trajnerin, por edhe për tifozët, ndërkohë që siguroi se me këtë lojë që bëri në miqësoren me britanikët, përfaqësuesja mund të kualifikohet për në Evropian. Entuziazmi i Xhakës është aq i madh sa ngre “temperaturat” në këtë prag dimri, për ta kaluar skuadrën nga një gjendje kaotike dhe e “sëmurë” në një moment shprese dhe entuziazmi për edicionin eliminator të Kampionatit Evropian.
“Nuk besoj që kemi pasur stres këtë javë, – u shpreh që në fillim Xhaka, – vetëm duhej të reagonim pas asaj humbje dhe këtë e bëmë sot në fushë. Por kjo ishte ndeshje ndryshe. Me Skocinë patëm pak trysni, këtu me Uellsin ishim si ekip më të mbyllur dhe atë shans që e kishim e shfrytëzuam. Loja në këtë mënyrë? Është filozofia e trajnerit, atë që vendos ne duhet ta bëjmë në fushë. Kjo ndeshje ishte për trajnerin dhe për ne lojtarët.”
“Nëse bëjmë paraqitjen që kemi bërë ndaj Uellsit, kemi shanse të mëdha që t’ia arrijmë. Por për të folur për Evropianin duhet të shohim njëherë kë do të kemi në grup dhe t’i marrim ndeshje pas ndeshje”, – përfundoi mesfushori i përfaqësueses shqiptare. Xhaka cilësohet si një prej mesfushorëve më i qëndrueshëm në formacionin e trajnerit Kristian Panuçi dhe është një futbollist energjik. Në edicionin Eliminator të Evropianit të vitit 2016, ai ishte një prej lojtarëve me më shumë minuta në fushë.
Po kështu, edhe në formacionin titullar ishte i padiskutuar. Xhaka mund të japë kontributin e tij edhe në këtë edicion të radhës, atë të Elimintarove për Evropianin e 2020-ës.