AlbanianSport.com 21/11/2018 16:35
ASNN – Trajneri Kristian Panuçi arriti më në fund ta fitonte një ndeshje në krye të Kombëtares pas shumë dështimesh radhazi. Në fakt rreziku i një shkarkimi të mundshëm nuk ka kaluar, edhe pse trajneri italian mori konfirmimin e presidentit të federatës Armand Duka. Vetë lojtarët thanë pas ndeshjes se fitorja me Uellsin i dedikohej Panuçit.
Nisur kjo dhe nga pozicioni i vështirë që trajneri pati pas disfatës së rëndë ndaj Skocisë. Vetë trajneri, ka befasuar me përgjigjet e tij pas ndeshjes me Uellsin. Edhe pse me këmbë në tokë, ai ka sfiduar, duke thënë se po qëndron në krye të kuqezinjve sepse lojtarët e duan dhe i ka pas vetes, diçka që deri dje as nuk mendohej e madje ishte dyshuar se ishte pikërisht grupi që po i krijonte shtratin e rrëshqitjes trajnerit italian.
“Do përgatitemi që të vazhdojmë përpara për kualifikimin në Evropian, – u shpreh ndër të tjera trajneri i skuadrës kuqezi, unë di që djemtë i kam pas krahëve, i kam me vete. Nëse do e dija që nuk do ishin me mua, do largohesha”. Natyrisht, dhënia e besimit nga Duka i ka dhënë “krahë” Panuçit, madje dhe fitorja e fundit e ndihmon atë të kapërcejë një ngërç të krijuar.
Por vështirë se tifozët do t’ia falin dështimin në këtë edicion të Ligës së Kombeve, ku Shqipëria fitoi të qëndrojë sërish në Ligën C falë fatit.