AlbanianSport.com 21/11/2018 14:55
ASNN – Goga Basket e ka mbyllur fazën e parë të sezonit në krye të renditjes së Superligës, por për basketbollistin amerikan të bregdetarëve, Grifin Ramè është ende herët për ta cilësuar veten si favoritë për titull. Pasi e ka provuar titullin më parë me Tiranën, Ramèja ka besim të patundur se mund ta shijojë atë sërish me Goga Basketin. Kjo e fundit e ka mbyllur fazën e parë të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për Meshkuj në krye të Superligës, dhe një nga lojtarët e spikatur ka qenë amerikani Grifin Rame.
“Unë mendoj që ishte një nisje shumë e suksesshme e sezonit, – ka thënë ai. – Ne jemi ende një grup i ri lojtarësh, pasi është hera e parë që luajmë si skuadër në këtë nivel të kampionatit, por mendoj që po ecim përpara, kështu që, hap pas hapi, mbase do të jemi kampionë, të shohim…” Për 29-vjeçarin, skuadra duhet të përmirësohet edhe më në lojën e saj. “Trajneri na flet gjithmonë për mbrojtjen, mbi të gjitha për mbrojtjen, – ka thënë Ramèja. – Ngandonjëherë kemi problem me topat në tabelë dhe kjo është një sfidë.”
“Por, për sa kohë do të punojmë fort, besoj që çdo gjë do të rregullohet”, – ka shtuar basketbollisti 1 m e 90 cm të lartë, sipas të cilit nuk mund të flitet ende për favorite. “Nuk i dihet, sepse është ende fillimi i sezonit dhe ende nuk i dihet se kush mund të sfidojë, – ka thënë ai. – Për momentin, jemi në vend të parë, por edhe kjo është e rrezikshme, sepse do të na qepen pas dhe ngandonjëherë kjo është më e lehtë. Por ne nuk ndjehemi favoritë, sepse na duhet të tregojmë veten në çdo ndeshje, sepse s’kemi arritur asgjë ende.”
“Ne duhet të provojmë veten, të bindim sportdashësit, prandaj çdo ndeshje është e rëndësishme”, – ka shtuar amerikani. Pasi e ka provuar titullin me Tiranën, Ramèja ka besim të patundur se mund ta shijojë atë sërish me Goga Basketin. “Absolutisht, nuk ka diskutim. Jam i çuditur që ma bëni këtë pyetje madje!” – ka përfunduar ai duke buzëqeshur.