AlbanianSport.com 20/11/2018 21:55
ASNN – Shqipëria ka fituar 1-0 miqësoren e së martës me Uellsin, duke i dhuruar kështu trajnerit Kristiano Panuçi fitoren e 4-t në 14 ndeshje me Shqipërisë, ku ka marrë edhe dy barazime, por ka pësuar 8 humbje. Ndeshja e zhvilluar në Stadiumin “Elbasan Arena” dhe të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, u vendos nga një 11-metërsh i saktë i Balajt në pjesën e dytë. Përtej zhgënjimit në Ligën e Kombeve, Shqipëria e ka mbyllur vitin 2018 me një fitore të martën, pasi ka mundur Uellsin 1-0.
Pas disa minutave të para që qeta, janë miqtë të rrezikojnë në minutën e 6-të, por Vouks nuk e kalibron mirë goditjen me kokë dhe topi përfundon jashtë. Uellsi mbetet në gjysmëfushën e Shqipërisë dhe më pak se 120 sekonda më pas, rrezikon përsëri, por mbrojtja kuqezi devijon jashtë për një goditje këndi. Janë minuta të mira këto për uellsianët, që rrezikojnë sërish në minutën e 12-të. Pas një pauzë 10-minutëshe të vaktë, janë miqtë që shfaqen rrezikshëm, por goditja me kokë e Bruksit përfundon jashtë, por fare pranë shtyllës së djathtë pingule të portës së mbrojtur nga Berisha.
Nervozizëm i panevojshëm i Taulant Xhakës, që shpëton me një karton të verdhë në minutën e 36-të. Aksion i bukur i britanikëve dhe Vouks është i vetëm në qendër dhe godet por Berisha nuk jepet dhe e devijon me këmbë topin jashtë për një goditje këndi, me të cilën mbyllen 45 minutat e para. Edhe ato të dytat janë të barazpeshuara, por, në minutën e 57-të Taulant Xhaka ka vepruar zgjuarsish në zonë dhe pengohet nga Uillson dhe gjyqtari bën me dorë nga pika e bardhë. Balaj e ekzekuton saktësisht 11-metërshin dhe e kalon Shqipërinë në epërsi.
Ky ishte goli i 5-të i Balajt me Kombëtaren dhe vetëm i 3-ti i kuqezinjve të Panuçit për këtë vit. Menjëherë pas pësimit të golit, trajneri Rajën Gigs hedh në fushë sulmuesin e Realit të Madridit, Gareth Bejl, por është Shqipëria që rrezikon sërish dhe në minutën e 63-të, Uzuni godet bukur diagonalisht, por pa e gjetur dot kuadratin e portës mike. Tri minuta më pas, Basha flirton me rrezikun, me një ndërhyrje të vonuar ndaj Uillsonit brenda zone, por gjyqtari e fal, përkundër protestave të tifozëve miq. Kombëtarja luan më e çliruar dhe në minutën e 76-të, Uzuni shpërdoron një mundësi mjaft të mirë për të gjetur golin e parë me fanellën kuqezi, por gabon krejtësisht fare pranë portës.
Një minutë më pas, fillimisht Berisha thirret në apel për një grushtim, e më pak Mavraj fiton duelin në zonë me Bejlin, përkundër pretendimeve të miqve për një top të kthyer prapa tek Berisha. Pavarsisht një çerekore të fundit me Uellsin më kërkues deri në sekondat e fundit, me një goditje të lirë të fituar dhe ekzekutuar nga Bejli, por që has në mur, Shqipëria e fiton këtë miqësore me Uellsin, duke i dhuruar kështu trajnerit Kristian Panuçi fitoren e 4-t në 14 ndeshje me Shqipërisë, ku ka marrë edhe dy barazime, por ka pësuar 8 humbje.