AlbanianSport.com 20/11/2018 18:10
ASNN – Marrëveshje mes Kukësit e Flamurtarit, Kale kalon në Vlorë dhe do të luajë si kuqezi kundër Partizanit. Një lëvizje e çuditshme ka ndodhur ditën e sotme në Kategorinë Superiore, ku Kukësi dhe Flamurtari kanë arritur një marrëveshje për kalimin e lojtarit brazilian Elton kale nga klubi verilindor drejt atij vlonjat.
Lajmin e konfirmon për mediat vetë presidenti Safet Gjici, ndërkohë që në këtë periudhë kur vëmendja ka qenë tek skuadra përfaqësuese, dy klubet kishin ditë që synonin arritjen e një marrëveshje midis tyre. Flamurtari kishte bërë ofertë konkrete dhe Kukësi pranoi, duke e lënë lojtarin të lirë.
Por kundrejt një pagese, që vetë kreu i klubit kuksian e quajti “dëmshpërblim”. “Ne ramë dakord me Flamurtarin për Kale kundrejt një dëmshpërblimi”, – është shprehur shkurt Gjici, duke mos dhënë shumë detaje rreth shifrës financiare të paguar nga klubi vlonjat apo kushteve të tjera midis dy palëve.
Ndërkohë, klubi i Kukësit informon se ka dërguar një shkresë në Federatën Shqiptare të Futbollit, duke e vënë në dijeni për marrëveshjen e arritur me Flamurtarin dhe në këtë mënyrë i hapet rruga klubit vlonjat ta federojë futbollistin konform rregulloreve. Sipas këtyre informacioneve, Kale mund të aktivizohet me ngjyrat e Flamurtarit nga ndeshja e fundjavës kundër Partizanit, një takim i planifikuar të luhet ditën e premte.