AlbanianSport.com 20/11/2018 17:15
ASNN – Spanja i prish planet aleancës ballkanike për Botërorin 2030, zgjedh ortak një vend afrikan. Vendet ballkanike, kishin shprehur interesimin e tyre që të organizojnë së bashku një kampionat botëror, atë të vitit 2030. Serbia dhe Greqia ishin organizatoret, së bashku me Bullgarinë dhe Rumaninë. Projekti i tyre u cilësua interesant dhe që mund të merrte mjaftueshëm vota për t’u bërë realitet. Por një projekt i ri e ka sfiduar planin serbo-grek.
Dhe është një vend mik i tyre, Spanja, e cila në aleancë me Portugalinë, duke futur në “valle” edhe Marokun, duan të presin Botërorin e vitit 2030. Kështu, kryeministri spanjoll, Pedro Sançez, i ka propozuar mbretit të Marokut, Mohamedit të VI-t, që të organizojnë bashkërisht me këtë vend dhe me Portugalinë Botërorin e 2030-ës, një veprimtare që parashikohet të jetë unikale në llojin e saj. Sipas projektit spanjoll, dy vendet iberike do të zhvillonin pjesën më të madhe të ndeshjeve.
Por edhe Maroku në veriperëndim të Afrikës do të organizonte disa ndeshje të rëndësishme në qytetet kryesore, sepse ka infrastrukturën e nevojshme aq sa kishte kandiduar për të organizuar i vetëm Botërorin e 2026-ës. “Një kandidaturë hipotetike do të ishte shumë konkurruese dhe ne kemi besim që mund të realizohet, – tha politikani spanjoll në takimin e zhvilluar në Rabat, ku u diskutua mundësia e organizimit të një veprimtarie që do të përfshinte Evropën dhe Afrikën.
“Ne jemi të bindur që mund ta fitojmë këtë projekt, për më tepër që një skuadër i përket Afrikës dhe kjo është interesante dhe më gjithëpërfshirëse”, – përfundoi kryeministri spanjoll, Pedro Sançez.