AlbanianSport.com 20/11/2018 15:25
ASNN – 10 klubet e Kategorisë Superiore do të futen në merkaton e dimrit për të plotësuar organikën e tyre me lojtarë cilësorë. Me përjashtim të Teutës, e cila ndihet një skuadër që përgjithësisht ka funksionuar mirë në javët e fundit dhe ka një repart sulmues të stabilizuar, sepse pas Skënderbeut me 17 gola është ekipi që ka shënuar më shumë, 16 gola në 13 javë kampionat, skuadrat e tjera kërkojnë medoemos sulmues të spikatur për të bërë diferencë dhe për të mbajtur gjallë objektivat e tyre sezonalë.
Tri skuadra diferencohen në krye të tabelës që kanë sulm më të mirë, Skënderbeu (17), Teuta (16) dhe Partizani (15). Ekipet e tjera janë nën 12 gola të shënuar, duke pasur një koeficient më pak se 1 gol për ndeshje. Natyrisht, një skuadër që pretendon të dalë kampione duhet të ketë një koeficient mbi 1.5 gola për ndeshje, që do të thotë ndryshe se asnjë ekip i Superiores në këtë moment nuk e kap këtë tregues. Pra në Superiore mungojnë “golashënuesit”. Prandaj, në merkaton e janarit shumica e klubeve do të kërkojnë sulmues.
Tirana, është një prej atyre skuadrave që kanë bërë lojëra të mira, por nuk ka finalizuar dhe e ka të domosdoshme blerjen e një sulmuesi të fuqishëm. Kukësi po rrit pretendimet për të sjellë një sulmues që bën diferencë dhe ka hedhur sytë nga “ish”-ët. Skënderbeu nuk i ka zbuluar planet e tij, por mësohet se ka nisur të studiojë tregun. Laçi, Flamurtari dhe Kamza synojnë gjithashtu nga një sulmues që do të sillte efikasitet për të bërë diferencën ndaj rivalëve direktë. Madje dhe Kastrioti ka në plan të hyjë në treg për të blerë një lojtar në vijën e parë të ekipit, për të shpresuar mbijetesën.
Më mirë në këtë moment duket Luftëtari që ka një Vasil Shkurtaj që po rritet dhe i mbulon deri diku objektivat e grupit. Por, edhe pse të gjitha klubet duan sulmues “rrace”, në treg në këtë periudhë nuk ka lojtarë të lirë, pra është e vështirë të gjenden. Kampionati ka vite që nuk prodhon sulmues të spikatur, madje i fundit ishte Sindrit Guri që këtë sezon kaloi në Belgjikë. Lojtarët e tjerë me tipare ofensive nuk i kalojnë 15 golat në sezon. Që të bëjnë diferencë duhet të kalojnë 20 gola në sezon. Elementi i dytë që ndikon negativisht ka të bëjë me shtrenjtësinë.
Dihet që sulmuesit nuk gjenden kollaj në treg. Më modesti prej tyre kushton 50 mijë euro në sezon, kurse sulmuesi i mirë nuk gjendet nën 100 mijë euro në sezon. Duke parë shifrat, blerja e një sulmuesi të shtrenjtë jashtë vendit bëhet shumë e vështirë. Nga ana tjetër, mangësia qëndron se vetë klubet nuk kanë investuar tek akademitë, kurse skuadrat zinxhirë kanë mangësi të lojtarëve sulmues. Praktikisht, sulmi i 10 klubeve të Superiores nuk është mjaftueshëm efikas, madje kampionati ynë ka krizë sulmuesish, një fenomen që nuk është aq i ri.