AlbanianSport.com 18/11/2018 10:35
ASNN – Duke dhuruar një të papritur të këndshme në rikthimin e saj pas disa vitesh mungesë në nivelin e dytë i Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për Femra, që njihet si Grupi A1, Mirdita e mbyll fazën e parë në krye, ndërsa Barleti Voleji ka fituar derbin me Tiranën. Skuadra e qytetit të Rrëshenit e ka mbyllur kështu fazën e parë të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për femra në vendin e parë.
Në ndeshjet e javës së 7-të të Grupit A1 të luajtura të shtunën, skuadra mirditore fitoi 3-0 në Krutje ndaj Lushnjës, duke arritur një sukses të lehtë ndaj vendit të fundit. Një përballje mes dy ekipeve që ndodhen në ekstremet e renditjes, ndaj fitorja e Mirditës ishte e lehtë, duke e dominuar lojën në të 3 setet. Një rezultat që mban ekipin rrëshenas në vendin e parë, duke e mbyllur këtë fazë të parë si “kampion i dimrit”.
Ndërkaq, në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet, ekipi i Barleti Volejit fitoi 3-1 ndaj Tiranës në derbin kryeqytetas. Një fitore me përmbysje e ekipit të trajnerit Gurabardhi, që nuk e nisi mirë ndeshjen, duke humbur setin e parë. Por, paskëtaj loja ndryshoi krejtësisht pamje. Barleti “zgjohet” dhe fiton me lehtësi dy setet e tjera, duke marrë frenat e lojës në dorë.
Vajzat bardheblu të trajnerit Ardian Gorenca përpiqen të rivalizojnë disi në setin e katërt, por pa forcën e duhur, pasi Barleti ka kontrollin e takimit dhe fiton pa shumë probleme 3-1, duke u ngjitur në vendin e dytë. Për Tiranën humbja e dytë radhazi, që e zbret në vendin e tretë. Në anën tjetër, kampionia në fuqi, Partizani, konsolidon vendin e katërt në renditje, pas fitores 3-0 në Durrës ndaj Teutës vendase.
Durrsaket ishin thuajse inekzistente në fushë, duke zhvilluar një lojë pa nerv dhe grintë dhe kjo ia bëri edhe më të lehtë fitoren ekipit kryeqytetas, që e dominoi ndeshjen dhe e meritoi fitoren, ndërsa Teuta humbet kontakt me kreun. Fiton edhe Skënderbeu, që mundi 3-1 Vllazninë në Korçë, duke ndalur hovin e shkodraneve, që kishin fituar dy takimet e fundit.
Kampionatit Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 7-të
(17 nëntor 2018)
Skënderbeu – Vllaznia 3-1
(26-24, 26-28, 25-17, 25-20)
Lushnja – Mirdita 0-3
(13-25, 21-25, 13-25)
Teuta – Partizani 0-3
(17-25, 19-25, 10-25)
Tirana – Barleti Voleji 1-3
(25-12, 15-25, 15-25, 20-25)
Renditja:
Nr. Skuadra N. F. H Pikë
- Mirdita 7 6 1 19
- Barleti Volej 7 6 1 18
- Tirana 7 5 2 15
- Partizani 7 5 2 14
- Teuta 7 2 5 6
- Skënderbeu 7 2 5 6
- Vllaznia 7 2 5 5
- Lushnja 7 0 7 1