AlbanianSport.com 17/11/2018 10:40
ASNN – Majkëll Ngo vlerësohet si lojtar cilësor dhe Tirana beson se ai mund të bëjë diferencën. Madje dhe në shtyp specialistët i mëshojnë faktit se Ngoja duhet trajtuar mirë sepse ka cilësi dhe mund ta ndihmojë Tiranën t’i ikë vendeve të vendit. Por edhe pse ishte pezulluar nga trajneri Ardian Mema pak ditë më parë, ai u rikthye në ekip me propozim “nga lart”, duke u stërvitur me grupin.
Por lojtari ka problem të karakterit, është gjaknxehtë dhe konfliktohet me shokët e ekipit. Së fundmi Ngoja është konfliktuar me Muçën, duke kaluar cakun dhe duke u bërë i padurueshëm për stafin. Natyrisht, një tjetër pezullim do të thoshte që lojtari të mos e shohë më formacionin. Mundet që lojtari të jetë tunduar nga klubet rivale të Tiranës në Superiore dhe krijon enkas probleme që klubi ta përzërë e ai të kalojë në një ekip tjetër.
Pak ditë më parë, trajneri i Partizanit Skënder Gega e hodhi “shashkën”. Ai tha se Ngoja mund të përshtatej mirë tek Partizani dhe i “shkeli syrin” që të braktiste bardheblutë e të vishte bluzën e kuqe. Në një kampionat si ky i yni ku rregullat pak rëndësi kanë, duket se Ngoja po luan marifetet “alla-shqiptare” për të ikur nga një skuadër që s’ka shanse të fitojë trofe, siç është Tirana, e për të përfunduar tek “armiku” i saj, në këtë rast Partizani.