AlbanianSport.com 17/11/2018 09:45
ASNN – Argjentina fitoi mbrëmjen e së premten duelin miqësor me Meksikën me rezultatin 2-0, duke dhënë sinjale ringjalljeje pas dështimit në Botërorin e Rusisë. Në fakt, lajmin më të madh e përbën Lionel Mesi, këtë herë jo si lojtar pjesëmarrës në formacion, por me mungesën e tij. Sulmuesi argjentinas që prej përfundimit të Botërorit nuk është kthyer më në Kombëtare dhe duket se i ka prerë marrëdhëniet me ekipin e tij përfaqësues. Por mungesa e Mesit po sjell kthimin e rezultateve pozitive.
Duket paradoksale por është e vërtetë. Që kur mungon mesi në ekip, Argjentina po njeh lojë dhe rezultate të mira. Në duelin kundër Meksikës shënuan Mori dhe një autogol i Brizuelës. Në këtë takim bëri një performancë shumë të mirë sulmuesi i Juventusit, Paolo Dibala, i cili gjatë kohës që ishte Mesi kapiten as nuk ftohej në ekipin e tij përfaqësues. Edhe mediat argjentinase dhe ato spanjolle shkruajnë me ironi që largimi i Mesit po i bën mirë skuadrës.
Kjo, pasi Argjentina me futbollistë të rinj po bën lojëra të mira dhe po merr rezultate pozitive. Në fakt, Mesi është tërhequr përkohësisht, pasi besohet se në dhjetor do të kthehet sërish me “Selesion”. Por mediat argjentinase shkruajnë se në dhjetor Mesi do të marrë një vendim, nëse do të vazhdojë apo jo më tej të luajë për kombëtaren e tij. Dështimet e deritanishme me ekipin përfaqësues, ndryshe nga Barcelona ku ka njohur suksese të paimagjinueshme, e kanë bërë atë të reflektojë thellë.
Dhe ndoshta një tërheqje e tij mund të ndikojë mirë për grupin. Të paktën dhe ai këtë ka lënë të kuptohet, megjithëse trajnerët që vijnë e kanë atë të parin në listë, kjo edhe pse ai është kapiten i grupit.