AlbanianSport.com 15/11/2018 08:25
ASNN – Ditën e mërkurën, një nga televizionet informative shqiptare pretendoi nëpërmjet një faksimile se kishte kontaktuar “online” me Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës (CAS), për ta pyetur rreth një vendimi të mundshëm për klubin e Skënderbeut. Por përgjigja ka shokuar jo vetëm median në fjalë, por të gjithë opinionin sportdashës në vend. “Nuk ka çështje Skënderbeu, klubi nuk e ka apeluar vendimin e UEFA-s”, – ishte pak a shumë përgjigja e zyrtarëve të CAS-it.
E thënë ndryshe, sipas këtij varianti, Skënderbeu që kishte bërë aq shumë bujë në media për të pritur vendimin pozitiv të gjykatës së Lozanës, as paska apeluar fare për këtë çështje. Por pa kaluar pak minuta nga dhënia e lajmit, presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj, jo vetëm e mohon dhe hedh poshtë me deklaratën e tij këtë informacion, por shkon më tej, pasi urdhëron klubin të nxjerrë faksimilen e vet ku jepet komunikimi me CAS-in për këtë çështje jo më larg se një javë më parë.
Situata është sa qesharake aq dhe dramatike. Qesharake pasi të gjithë palët pretendojnë me faksimile e dokumente se kanë të drejtë, por është dramatike sepse mban të “ngrirë” tifozët korçarë që në më shumë se 6 muaj po presin plot ankth vendimin e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, sepse klubi u kishte thënë se ka apeluar vendimin e UEFA-s. Deklaratat për shtyp të të gjitha palëve janë bërë tashmë të njohura, qëndrimet e tyre gjithashtu, por sërish publiku ka mbetur i tronditur dhe i painformuar. Kush duhet besuar?