AlbanianSport.com 14/11/2018 16:10
ASNN – Humbja e Dritës ndaj Llapit në kuadër të javës së 15-të të Kampionatit të Futbollit të Kosovës, solli disfatën e dytë radhazi për kampionët në fuqi të futbollit, ndërkohë që masë penalizuese është paralajmëruar edhe për trajnerin Shpëtim Duro. Natyrisht, humbjet janë të vështira të kapërdihen dhe tensioni është i madh, gjë që është reflektuar tek cigarja e Duros.
Që, sidoqoftë, është e ndaluar të tymoset në mjediset e brendshme të impiantit apo në pankinë. Në trajtimin që kanë bërë zyrtarët e Komisionit ….“antiduhan” në federatën e futbollit kosovar janë shënuar edhe detaje për kohën, vendin dhe kohëzgjatjen e tymosjes, diçka që tregon se Duro ka qenë nën vrojtim për këtë veprim.
Natyrisht, nuk pritet ndonjë masë ekstreme ndëshkimore dhe pavarësisht thyerjes së rregullit, duket se zyrtarëve të Federatës së Kosovës nuk u bëjnë sytë për të parë problemet reale që ka kampionati i tyre i futbollit dhe kërkojnë të disiplinojnë cigaret e Shpëtim Duros.
Kjo gjë bëhet më qesharake kur kujton që është përmendur dhe lloji i cigares, ku flitet për puro, gjë që me sa duket e ka bërë Komisionin “antiduhan” (Disiplinor) të Federatës së Futbollit të Kosovës të ngrihet i gjithi në mbrojtje të rregulloreve sportive. Rast më qesharak se ky vështirë të gjesh në futbollin shqiptar në tërësi.