Gjergj Vyshka 23.10.2014 13:25
Shqipëria një nga pesë vendet që ka fituar të drejtën e transmetimit të Lojërave Olimpike Evropiane. Në Baku të Azerbajxhanit, atje ku nga data 12, deri më 28 qershor të vitit të ardhshëm do të organizohen Lojërat e para Olimpike Evropiane, është zhvilluar Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Olimpik Evropian.
Në këtë asamble të 43-të në të cilën kanë marrë pjesë 300 delegatë nga 49 Komitete Olimpike anëtare të Komitetit Olimpik Evropian, përkrah presidentit të kontinentit tonë, Patrik Hiki, ka qenë presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bah, si dhe presidenti i nderit Zhak Rog.
Në këtë asamble, që është zhvilluar të premten, Shqipëria është përfaqësuar nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Në të janë dhënë detajet e organizimit të aktivitetit, ndërsa Shqipëria është ndër pesë shtetet të cilat kanë fituar të drejtën e transmetimit të Lojërave të Para Evropiane Olimpike nga data 12 deri më 28 qershor 2015.
Kështu kanë lajmëruar organizatorët, të cilët kanë bërë të ditur se tashmë është firmosur kontrata e bashkëpunimit, ndërsa përveç Shqipërisë këto lojëra do të shihen dhe në Bjellorusi, Moldavi, Luksemburg e Sllovaki. Organizatorët kanë bërë të ditur se ofertat janë shpërndarë në të gjithë Evropën, madje dhe Turqi, Francë e Gjermani, sikurse dhe në kontinentet e tjera në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Japoni.
Përfundimisht në Shqipëri do të transmetohen në platformën dixhitale “Tring Media”, në Bjellorusi në kanalin e pestë shtetëror, në Luksemburg nga Radio Televizioni i këtij shteti, në Moldavi nga TV Moldavia Sport dhe në Sllovaki nga Dixhi Sport. Tashmë pritet mbërritja e Bezhanit në Tiranë për të treguar detajet e gara kualifikuese për pjesëmarrjen e vendit tonë në Lojërat e Para Olimpike Evropiane, nga data 12, deri më 28 qershor 2015.