AlbanianSport.com 13/11/2018 18:25
ASNN – “Firot” detyrojnë Panuçin të thërrasë “nën armë” Egli Kajën. Loret Sadiku, Ivan Balliu, Ylber Ramadani, Rei Manaj. Të gjithë mungojnë për shkaqe dëmtimi e refuzimi. I gjendur i papërgatitur për këtë situatë, ca nga e papritura e refuzimit e ca nga paaftësia për të koordinuar grupin në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, trajneri Kristian Panuçi nxitoi të ftonte zëvendësuesit e tyre.
Ergys Kaçe e konfirmoi ftesën dhe do të vijë, por Fiorin Durmishajn nuk e lë Greqia të kalojë kufijtë e saj për shkak të shërbimit ushtarak. Në këto rrethana, u fut në lojë edhe FSHF, e cila nisi luftën në dy fronte. E para me Metzin francez për shkak se nuk i dha leje Ivan Balliut dhe, e dyta, të ftojë në përfaqësuese të riun Egli Kaja, sulmues që luan me Livingstonin në kampionatin skocez.
“Kombëtares shqiptare të futbollit për dy ndeshjet e radhës që do të zhvillojmë, të parën ndaj Skocisë dhe ndeshjen e dytë ndaj Uellsit do të grumbullohet sulmuesi Egli Kaja, – shkruhet në njoftimin e FSHF-sç, – Kaja që aktivizohet në radhët e Livingston FC do t’u bashkohet kuqezinjve të drejtuar nga Kristian Panuçi nesër për të përgatitur përballjen zyrtare që Shqipëria do të zhvillojë në datën 17 nëntor ora 20:45 përballë Skocisë në “Loro Borici” dhe miqësoren e datës 20 nëntor ndaj Uellsit në “Elbasan Arena” ora 20:00.
Komunikata e FSHF-së për mediat është domethënëse në këtë aspekt, por siç ndodh zakonisht në Shqipëri faji ose u adresohet të tjerëve, ose mbetet jetim, shqiptarët e kanë të vështirë të gjejnë fajtorë brenda radhëve të tyre. Kështu me sa duket ndodh edhe me FSHF-në dhe trajnerin e “shqiptarizuar” në sjellje Kristian Panuçi.