AlbanianSport.com 12/11/2018 17:45
ASNN – Partizani e rrëzoi Teutën nga “froni”, por statistikat trazojnë kartat e pretendenteve. Java e 6-të e Superligës së Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, dhuroi emocione, rivalitet dhe surpriza të mëdha. Natyrisht, surpriza më e madhe ishte fitorja e Partizanit në Durrës përballë Teutës, ekipit që deri dje konsiderohej i pakonkurrueshëm.
Megjithatë, ekipi nga kryeqyteti i drejtuar nga Arben Fagu ia doli të korrë një tjetër sukses përballë “Djemve të Detit” që mundësojnë jo vetëm zbritjen e Teutës nga kryesimi, por ngjitjen Goga Basketit dhe vetë Partizanit në krye, me nga 11 pikë secila. Natyrisht, gara për titullin është e hapur, pasi ka plot ndeshje direkte dhe njëherësh me mjaft të papritura.
Edhe pse Teuta zbriti nga kryesimi këtë javë, statistikat në fakt të krijojnë pak konfuzion sa i përket skuadrës më të mirë. Kështu, durrsakët e trajnerit Boban Niniç kanë shënuar 538 pikë dhe kanë pësuar 413, duke pasur një diferencë pikëaverazhi prej 125 pikësh, praktikisht diferenca më e mirë në kampionatin e meshkujve. Rivali i saj kryesor në shifra, Goga Basket, ka një diferencë pikëaverazhi prej 109 pikësh.
Por, nga ana tjetër, skuadra tjetër durrsake e trajnerit Nikola Milatoviç, është e papërmbajtshme në sulm, siç tregoi edhe fitorja 136-84 ndaj Vllaznisë dhe tanimë ka realizuar plot 584 pikë, afro 97.3 pikë për ndeshje. Megjithatë, edhe pse Goga Basket ka sulmin më të mirë, ajo nuk ka mbrojtjen më të mirë, pasi ka pësuar 475, plot 79 pikë për ndeshje, që është shumë për një skuadër pretendente.
Dhe kjo do të thotë shumë për vazhdimësinë e garës. Ndërkohë, Partizani, skuadra e vetme që i ka shkaktuar dy humbje Teutës, ka një pikëaverazh 503-423, që do të thotë diferencë prej 80 pikësh, ku bie në sy mbrojtja e fortë, por sulmi më i dobët. Në aspektin e diferencave në pikëaverazh, është skuadra e 3-të më e mirë pas dy ekipeve të Durrësit, pra Teutës dhe Goga Basketit.
Sidoqoftë, një fitore e ngushtë 78-74 e Partizanit të shtunën ndaj Teutës në Durrës, bëri që të kuqtë të parakalojnë skuadrën durrsake në renditje, duke e zbritur atë në vend të tretë. Ndoshta ky rezultat i papritur e ka bërë garën mjaft tërheqëse dhe njëherësh ka shtruar domosdoshmërinë tek Teuta për të projektuar më mirë strategjinë e saj këtë sezon.
Pjesëmarrja në dy veprimtari (përfshi dhe Ligën Ballkanike), sjell lodhje dhe siç thotë populli “dy kunguj nën një sqetull nuk mbahen dot”, kështu që durrsakëve u duhet të sforcohen e të gjejnë mënyra për të përballuar ngarkesën. Në krahun tjetër, një ringjallje e mundshme e Vllaznisë në gjysmën e dytë të sezonit, pritet t’i trazojë ujërat në basketbollin shqiptar të meshkujve, që padyshim është bërë interesant.