AlbanianSport.com 11/11/2018 17:30
ASNN – Liverpuli mundi sot Fulhamin me rezultatin 2-0, duke marrë përkohësisht kryesimin e Premier Ligës Angleze me 30 pikë, një më shumë se Mançester Siti i vendit të dytë. Në këtë ndeshje për skuadrën e Jurgen Klop vendosi goli i Mohamed Salah në fundin e pjesës së parë dhe një gol i Xherdan Shaqirit në fillim të pjesës së dytë. Një fitore e pastër e bindëse e “të kuqve” që rikthehen menjëherë tek suksesi pas disfatës që patën në Beograd në mesjavë në kuadër të grupit C të Ligës së Kampioneve.
Ndryshe nga vizita e Beogradit, ku trajneri gjerman Klop nuk e mori Xherdan Shaqirin me vete dhe ku shkaktoi mjaft polemika, aq sa në mediat zvicerane e quajtën vendim politik, sot trajneri e futi Xherdan Shaqirin titullar në fushë dhe nuk u zhgënjye, pasi shqiptari i siguroi fitoren me golin e dytë dhe një trepikësh që e mban Liverpulin në pozita mjaft të forta në kampionatin anglez.
Nga ana tjetër, edhe tifozët u qetësuan, pasi në rrjetet sociale e kishin masakruar më parë Klopin që nuk i jepte minutazh më të madh. Ultrasit në terren dhe kritikët në mediat vizive duan që Shaqiri të zbresë në fushë titullar pas tredhëmbëshit të sulmit Salah-Mane-Firmino. Dhe “xhuxhi” shqiptar sot e realizoi me suksesin misionin e tij. Lojë brilante dhe gol, më mirë se kaq nuk kishte si të shkonte për futbollistin me origjinë nga Gjilani i Kosovës.