AlbanianSport.com 11/11/2018 14:45
ASNN – Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha mposhtin Interin, sinjale Panuçit dhe lavde në Evropë. Sot në mesditë Interi pësoi një disfatë të rëndë në Bergamo, pasi u mposht nga Atalanta me rezultatin 4-1. Zikaltrit vinin në këtë ndeshje pas shumë takimesh të fituara, madje kishin mundur të frenonin edhe Barcelonën në Ligën e Kampioneve. Sot ishte Atalanta e shqiptarëve Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti që tronditën Serinë A, pasi i shkaktuan Interit një prej disfatave më të thella këtë sezon.
Ishte Hans Hatebor në minutën e 8-të që i dha epërsinë skuadrës bergamase, e me rezultatin 1-0 u mbyll pjesa e parë. Entuziazmi në radhët e Atalantës ishte shumë i madh dhe lojtarët kishin vetëbesim. Por, në fillim të pjesës së dytë, Mauro Ikardi barazoi shifrat 1-1 me 11-metërsh. Pikërisht në këtë moment, Atalanta shpërthen me kundërsulme të rrezikshme dhe me një lojë spektakolare duke bërë që Interi të hutohet e të mos e kuptojë nga i vjen rreziku.
Një skemë taktike mbresëlënëse nga trajneri Gasperini, i cili ia nxori blof të gjitha tentativat tekniko-taktike rivalit të tij Luçiano Spaleti. Xhanluka Mançini shënoi golin e dytë për Atalantën në minutën e 62-të dhe kjo i dha qetësinë ekipit vendas, por futi në krizë Interin, që u përpoq me forca të shumta të ndryshonte rrjedhën e ndeshjes. Atëherë kur pritej të shënonte Interi vjen dhe ndëshkimi për zikaltrit dhe disfatën do t’ia shkaktonte pikërisht një shqiptar, Berat Gjimshiti, i cili në këtë ndeshje luajti titullar.
Pas një harkimi nga goditja e dënimit në të majtë të sulmit, topi vjen në zonë ku gjendet mbrojtësi i Kombëtares shqiptare të futbollit, i cili me një goditje ekzakte me kokë e dërgon topin në rrjetë, duke bërë që të ngrihet në këmbë i gjithë stadiumi. Por nuk do të mbaronte këtu, në minutën e fundit të lojës, Papu Gomez shënoi edhe golin e 4-t, duke i vënë “kapak” fitores së Atalantës dhe duke bërë që Interi të dalë nga stadiumi kokulur dhe i mundur.
Me këtë fitore, Atalanta shkon në 18 pikë, në vend të 6-të, një pozicion poshtë Lacios dhe Interit që mbajnë përkatësisht vendin e 4-t e të 5-të, me nga 21 pikë. Në këtë ndeshje, shkëlqyen të dy lojtarët shqiptarë, si Gjimshiti që shënoi golin që vulosi fitoren, por edhe Berisha që ishte titullar i padiskutuar dhe një siguri e madhe për Atalantën. Të dy meritojnë notën “10” në këtë ndeshje. Shtypi sportiv italian e ai evropian nisën menjëherë komentet e lavdet e tyre për skuadrën e Gasperinit dhe dyshen shqiptare të prapavijës.