AlbanianSport.com 11/11/2018 12:00
ASNN – Natyrisht, në një fitore si ajo e Goga Basket të shtunën në mbrëmje në fushën e vet ndaj Vllaznisë, dy pikë më pak, apo dy pikë më shumë, për cilëndo skuadër qofshin, nuk është se bëjnë ndonjë ndryshim të madh. Por fenomeni që u vërejt në rezultatin e kësaj ndeshjeje ngre edhe një herë një problem me administrimin e lojës së koshit në vendin tonë dhe me mungesën e seriozitetit në trajtimin e duhur të garës.
Tabela elektronike e Arenës Sportive “Dhimitraq Goga” në Xhafzotaj, e fotografuar nga AlbanianSport.com (e gjeni poshtë këtij shkrimi) menjëherë pas sirenës përfundimtare të ndeshjes së vlefshme për javën e 6-të të nivelit më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj, tregon rezultatin 131-86 në favor të të zotërve të shtëpisë, Goga Basket, që me epërsinë e kësaj fitoreje, morën edhe kryesimin e Superligës.
Por, përkundër këtij fakti, procesverbali zyrtar i ndeshjes, i firmosur nga kapitenët dhe trajnerët e dy skuadrave dhe i shpërndarë më pas nga Federata Shqiptare e Basketbollit, na tregon se ndeshja ka përfunduar me rezultatin 131-84 (në foton e dytë poshtë këtij shkrimi). Për më tepër, që edhe pikët për secilin lojtar, që janë të dukshme në tabelën elektronike, nuk përputhen me pikët e tyre në procesverbal.
Ajo që të bën përshtypje është, se në një botë të automatizuar dhe të përparuar kibernetikisht si kjo e sotmja, shanset për gabime njerëzorë minimizohen në maksimum. Pra, shifrat që pasqyron tabela, duke qenë se administrohen nga i njëjti sistem elektronik i pikëzimit në përputhje me standardin e FIBA-s, duhet të ishin domosdo identike me ato të procesverbalit, ose anasjellas.
Por nuk ka ndodhur kështu në rastin e kësaj ndeshjeje, e cila ngre edhe një herë problemin e mungesës së seriozitetit në punën e gjyqtarisë së tavolinës, për të cilën, jo në larg se pak javë më parë, Federata organizoi edhe një seminar përditësues. Duke e marrë këtë episod si një fenomen, më tepër sesa si një rast i veçuar, ne shpresojmë që të mos na duhet të përballemi me dilema që ngjajnë më tepër si pyetje konkursesh.