Gjergj Vyshka 23.10.2014 09:55
Shqipëria e mundjes është fituese e turneut “Adem Jashari”, që dje pasdite është zhvilluar në Pallatin e Sportit dhe Rinisë në Prishtinë. Me pjesëmarrjen e katër ekipeve, Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Bullgarisë, tanët ia kanë dalë në mundjen e lirë që të grumbullojnë 83 pikë dhe në fund të meritojnë kupën e turneut.
Madje mundësi Egzon Shala, i cili ka qenë fitues në peshën 97 kg, është shpallur mundësi më i mirë i kësaj veprimtarie. I pari ka dalë në peshën 86 kg edhe Edon Shala. Mandej kuqezinjtë numërojnë katër vende të dyta, që janë marrë nga Veli Susuri në peshën 61 kg, Vilson Ndregjoni në peshën 70 kg, Qamil Bajrami në peshën 74 kg dhe Fatjon Baro në peshën 125 kg.
I vetmi vend i tretë është nga Orges Lila në peshën 57 kg. Në këto kushte kampionët e Shqipërisë në mundjen e lirë kanë dhënë një tjetër paraqitje të mirë, këtë herë në turneun ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.